Tech Top Tech - News

Fëmijë sot, aksionerë të SpaceX nesër? Premtimi i bujshëm i Elon Musk…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Mbani mend paratë që na jepnin të afërmit kur ishim të vegjël? “M’i jep mua t’i ruaj”, thoshte mami. Ende po i presim t’i marrim.

Tani Elon Musk premton se në vitin 2027 do t’i japë çdo fëmije në Amerikë nga një aksion të tijin të SpaceX. Pra, një pjesëz pronësie në kompani, jo para në dorë. Imagjinoni një familje shqiptare atje. Fëmija merr aksionin. Nëna telefonon menjëherë gjithë fisin:

— Djali është bërë ortak me Elon Musk-un!

— Po a nuk ishte në klasë të dytë?

— Është, por ky i bën të dyja.

Deri në darkë, lajmi ka mbërritur në Shqipëri dhe djali nuk ka më thjesht një aksion: “Ka hapur një kompani raketash me një amerikan.”

Sa vlen realisht dhurata? Me çmimin e mbylljes së bursës më 16 tetor, rreth 146 dollarë për fëmijë. Në total, mbi 10 miliardë dollarë. Nuk të zgjidh jetën një aksion, por nuk është as stilolaps me logon e kompanisë.

Sipas njoftimit të Trump-it, shpërndarja do të bëhet përmes llogarive të investimit për fëmijë, të quajtura “Trump Accounts”. Për momentin, është premtim për vitin e ardhshëm, jo dhuratë e shpërndarë.

Por skena më e bukur do të ishte mbledhja me prindër:

— Djali juaj nuk e ka mendjen në mësim.

— E di, mësuese. Ka shumë përgjegjësi tani.

— Nuk ka bërë detyrat!

— Kanë lëshim rakete këtë javë, ku ta gjejë kohën?!

Vetëm një pengesë ka ky plani për t’i bërë fëmijët pronarë që të vegjël. Sapo të mbërrijë aksioni, dëgjohet zëri i mamit:

“Ma jep mua passwordin. Kur të rritesh, ta jap prape.”