Amorim triumfon ndaj Interit dhe befason me deklaratën: “Tifozët nuk janë budallenj”
Trajneri i Interit pranon gabimet në derbi dhe zbulon problemet fizike që detyruan zikaltërit të ndryshonin planet në momentet e fundit.
Cristian Chivu nuk e fshehu zhgënjimin pas humbjes së Interit në derbin ndaj Milanit, duke pranuar se skuadra e tij nuk e përballoi ndeshjen me qasjen dhe vendosmërinë e duhur. Trajneri zikaltër zbuloi gjithashtu se problemet fizike të disa lojtarëve e detyruan të improvizonte në formacion, por nuk e përdori këtë si justifikim për rezultatin.
“Është e dhimbshme të humbasësh një derbi kur pritshmëritë janë të larta, duke pasur parasysh sezonin dhe atë që kemi për të mbrojtur. Sot na u desh të improvizonim për shkak të emergjencave të dy ditëve të fundit. U përpoqëm të rikthenim disa lojtarë që ishin në dispozicion. E gabuam qasjen, por nuk është gjithçka keq”, deklaroi Chivu. Trajneri i Interit vlerësoi reagimin e skuadrës gjatë ndeshjes, duke kujtuar se zikaltërit patën mundësinë të riktheheshin në lojë, por nuk arritën të shfrytëzonin rastet e krijuara.
“Reaguam dhe mund të kishim barazuar 2-2, por Maignan bëri një pritje të jashtëzakonshme. Më pas pësuam një tjetër gol. Duhet të përmirësojmë qasjen, qëndrimin dhe vendosmërinë tonë, të cilat ndonjëherë na mungojnë. Duhet të kthejmë faqen, sepse pas tri ditësh kemi një tjetër ndeshje po aq të rëndësishme”, u shpreh trajneri.
Chivu shpjegoi edhe arsyet që e detyruan të ndryshonte planet për formacionin. Sipas tij, Bonny kaloi një natë të vështirë, me të vjella dhe temperaturë deri në orën 04:30 të mëngjesit, ndërsa edhe Pio kishte ethe. Në këto kushte, stafi teknik u detyrua të përshtaste zgjidhjet dhe të ndryshonte planin fillestar. Sa i përket Diouf, trajneri shpjegoi se priste që lojtari të sulmonte më shumë hapësirat, duke e konsideruar atë zgjidhjen më të përshtatshme për situatën e krijuar.
Megjithatë, Chivu pranoi se problemet fizike nuk e justifikojnë plotësisht paraqitjen e skuadrës, duke vënë theksin te mungesa e agresivitetit dhe e përgjegjësisë në lojën mbrojtëse. “Nuk do t’i hidhja të gjitha poshtë. I shkaktuam probleme Milanit në pjesën e parë dhe pothuajse arritëm të barazonim 2-2. Por jemi fajtorë për qëndrimin tonë dhe për mungesën e lojës mbrojtëse. Vitin e kaluar kishim më shumë vendosmëri. Duhet ta rizbulojmë atë”, përfundoi trajneri i Interit.
Top Channel