
Kryeministri britanik Andy Burnham ka deklaruar se është i hapur ndaj kërkesave për një ndjesë zyrtare për rolin historik të Britanisë në skllavëri, përpara pjesëmarrjes në samitin e Komonuelthit javën e ardhshme, ku pritet të përballet me kërkesa për dëmshpërblime financiare.
Në një shkrim të publikuar në gazetën The Guardian, Burnham tha se Britania po “ofron një dialog të strukturuar me ata që janë prekur nga tregtia transatlantike e skllevërve”, përmes së cilës të paktën 12.5 milionë afrikanë u rrëmbyen dhe u shitën si skllevër.
“Dëgjimi i kërkesave për një ndjesë zyrtare në emër të shtetit britanik do të përbëjë një pjesë të rëndësishme të këtij procesi dhe unë jam i hapur ndaj tyre”, shtoi ai.
Megjithatë, Burnham hodhi poshtë kërkesat për dëmshpërblime financiare, duke shkruar: “Nuk mendoj se qytetarët britanikë të sotëm mund të mbahen përgjegjës për padrejtësitë historike, sado të tmerrshme qofshin ato, që kanë ndodhur në një epokë tjetër, nën ligje të ndryshme dhe në të cilat ata nuk kanë pasur asnjë rol personal”.
Nga shekulli XV deri në shekullin XIX, miliona afrikanë u shitën si skllevër nga tregtarët evropianë. Sipas bazës së të dhënave për tregtinë transatlantike të skllevërve, Britania transportoi përtej Oqeanit Atlantik rreth 3.2 milionë njerëz.
Përpara takimit të krerëve të qeverive të Komonuelthit në Antigua dhe Barbuda, një zëdhënës i mbretit Charles deklaroi se ai “nuk do t’i shmanget përballjes me aspektet më të turpshme të së kaluarës” gjatë vizitës së tij.
Një zëdhënës i Charles, kreut të Komonuelthit, një organizatë që përfshin 56 vende, kryesisht ish-koloni britanike, shtoi: “Nuk do të ishte e përshtatshme që ai të trajtonte çështje specifike të politikave që lidhen me qëndrimin e qeverisë britanike”.
Charles vazhdon të marrë trajtim për kancerin, megjithëse një zyrtar i lartë i Pallatit Buckingham tha se ai “po punon po aq shumë sa gjithmonë, me axhenda të ngjeshura dhe angazhime në zona të ndryshme kohore”.
Pritet që liderët e vendeve të Karaibeve të këmbëngulin për kërkesat e tyre për dëmshpërblime, të cilat shpesh i kanë paraqitur në formën e lehtësimit të borxheve, financimit për zhvillim, investimeve në arsim dhe shëndetësi, si dhe mbështetjes për përballimin e ndryshimeve klimatike.
Në shkrimin e tij për The Guardian, Burnham tha gjithashtu se dëshiron të “nisë një nismë të re për borxhin”, duke përfshirë ndihmën për vendet më të cenueshme që të “shlyejnë borxhet për një periudhë më të gjatë dhe me norma më të favorshme”.
Kryeministri i Antigua dhe Barbudës, Gaston Browne, mirëpriti komentet e Burnhamit dhe propozimet për ndihmë konkrete. Megjithatë, në një postim në Facebook, ai shtoi: “Qëndrimi i kahershëm i Karaibeve për drejtësinë riparuese mbetet i pandryshuar”.