Fotoja e kutisë plot me euro që “fundosi” Ballukun, si përfundoi në duart e SPAK
Një fotografi ku shfaqet një kuti e kuqe e mbushur me kartëmonedha 50-euroshe, e gjetur në telefonin e bashkëshortit të pastrueses së Belinda Ballukut, është një nga elementet që Prokuroria e Posaçme ka përfshirë në dosjen hetimore për vilën në kompleksin turistik “White Rocks”, në Dhërmi.
Bëhet fjalë për një imazh të dërguar përmes WhatsApp-it në korrik të vitit 2021, i cili, sipas vlerësimit të SPAK, duket se është shkrepur në ambientet e vilës që prokuroria ia atribuon ish-zëvendëskryeministres. Në fotografi shihet një kuti e kuqe, brenda së cilës ndodhen tufa kartëmonedhash 50-euroshe, të lidhura me llastik.
Sipas të dhënave të bëra publike nga mediat, mesazhi është dërguar në mëngjesin e 17 korrikut 2021 nga Lavdrim Smone, bashkëshorti i sanitares që punonte në banesën e Ballukut në Tiranë. Në dokumentet hetimore, SPAK e përshkruan ambientin ku ndodhet kutia si të ngjashëm me hapësirat e vilës F6 në kompleksin “White Rocks”.
Ky detaj është përfshirë në një dosje ku Prokuroria e Posaçme ka mbledhur qindra komunikime, telefonata dhe të dhëna të tjera përgjatë periudhës 2018-2025, me qëllim dokumentimin e përdorimit dhe pronësisë faktike të pronës nga Belinda Balluku.
Vila rezulton në emër të Igli Tares, SPAK pretendon se pronarja faktike është Balluku
Prona në fjalë është një vilë dykatëshe e tipit “Begonia”, me sipërfaqe ndërtimi 103 metra katrorë dhe e rrethuar nga një parcelë toke prej të paktën 300 metrash katrorë. Ajo ndodhet në kompleksin turistik “White Rocks”, në Dhërmi, dhe në dokumentacion rezulton e regjistruar në emër të ish-futbollistit të njohur Igli Tare.
Megjithatë, sipas SPAK, pronësia formale nuk përputhet me personin që e ka përdorur dhe administruar realisht vilën. Prokuroria pretendon se pasuria i përket faktikisht ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ndërsa vlera aktuale e saj llogaritet në rreth 720 mijë euro.
Nga të dhënat hetimore rezulton se Balluku e ka përdorur vilën që prej qershorit të vitit 2019 dhe të paktën deri në shkurt-mars 2026. Sipas dokumentacionit të SPAK, gjatë kësaj periudhe janë identifikuar edhe sinjale të telefonit të saj celular në zonën ku ndodhet kompleksi turistik. Vetëm tre muaj më vonë, prona u sekuestrua me vendim gjykate.
Punonjësit e quanin “vila e shefes”
Një tjetër element që prokuroria e konsideron të rëndësishëm lidhet me komunikimet mes ish-vartësve, shoferit personal të Ballukut, punonjësve të pastrimit, administratorëve të kompleksit dhe familjarëve të këtyre të fundit.
Sipas materialeve hetimore, në komunikimet e tyre godina F6 përmendej vazhdimisht si “vila e shefes”, një referim që SPAK e përdor si pjesë të argumentimit për lidhjen e drejtpërdrejtë të Ballukut me pronën.
Në dosje përmenden gjithashtu investimet dhe arredimi i vilës, të cilat, sipas prokurorisë, ishin realizuar në përputhje me preferencat e ish-zëvendëskryeministres. Në ambientet e saj janë gjetur edhe fotografi dhe elemente të tjera që, sipas SPAK, mbështesin pretendimin se Balluku e përdorte pronën në mënyrë të vazhdueshme.
Hetuesit kanë analizuar edhe të dhënat e qelizave telefonike, të cilat, sipas dosjes, tregojnë praninë e numrit të saj celular në zonën e Dhërmiut në periudha të ndryshme përgjatë disa viteve.
Familja e pastrueses dërgohej në vilë për pastrim
Në dosje përshkruhet edhe roli i familjes Smone në mirëmbajtjen e pronës. Sipas komunikimeve të administruara nga SPAK, Lavdrim Smone, bashkëshortja e tij, e cila punonte si sanitare në banesën e Ballukut në Tiranë, si dhe vajza e tyre, shkonin herë pas here në vilën e Dhërmiut për të kryer pastrimet.
Në disa raste, transportimi i tyre drejt kompleksit turistik bëhej nga shoferi personal i ish-zëvendëskryeministres.
Fotografia e kutisë së kuqe me euro, e gjetur në telefonin e bashkëshortit të pastrueses, përbën një tjetër element të përfshirë në materialet hetimore. SPAK e lidh imazhin me ambientet e vilës F6, megjithëse përshkrimi në dokument përdor formulimin se fotografia duket e shkrepur në këtë ambient.
Të gjitha këto të dhëna, nga komunikimet e punonjësve dhe përdorimi i vazhdueshëm i pronës, deri te fotografia me kartëmonedhat euro, janë pjesë e argumenteve që Prokuroria e Posaçme ka mbledhur për të mbështetur pretendimin se vila në “White Rocks” nuk ishte thjesht një pronë ku Belinda Balluku qëndronte herë pas here, por një pasuri që ajo e përdorte dhe e dispononte faktikisht.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



