Derbi i parë, fitorja e parë. Një mbrëmje perfekte për Ruben Amorim dhe Milanin e tij.
“Kjo fitore është e rëndësishme, ambienti dhe atmosfera janë fantastike. Sidomos pas humbjes së së mërkurës kundër Bolonjës, dëshironim të festonim edhe më shumë. Jam vërtet krenar për atë që bënë lojtarët e mi. Ata luftuan gjatë gjithë ndeshjes, pavarësisht kohës shumë të shkurtër të pushimit mes takimeve. Jam krenar për ta”, u shpreh ai për Sky Sport.
Milani tregoi që në fillim një qasje pozitive dhe nuk i mungoi besimi. “Përpiqem të lexoj dhe të kuptoj atë që më komunikon skuadra. Kisha ndjesinë se mund të ishim konkurrues. Pashë një ekip të qetë dhe të përqendruar, ndaj kisha shumë besim”.
A bëjnë diferencën Modriç, Rabiot dhe Pulisiç? “Jo vetëm ata, por i gjithë ambienti dhe përqendrimi i skuadrës. Më pëlqen mënyra se si luajnë dhe shprehen në fushë. Dua të flas edhe për Pavloviç dhe De Uinter, për mënyrën se si u paraqitën ndaj një skuadre kaq të fortë në zonë. Më pas janë lojtarë si Rabiot, Pulisic dhe Moreira. Ne ishim skuadra më e mirë”.
Duke shpjeguar vendosjen e Gilas në të djathtë dhe De Uinter në qendër të mbrojtjes, trajneri tha: “Interi luan shumë nga krahët dhe dërgon shumë krosime, ndërsa krijon edhe një dendësi të madhe lojtarësh në zonë. Pavloviç dhe De Uinter janë më të përshtatshmit për të përballuar krosimet. Kjo ishte ideja për të vendosur karakteristikat e duhura të mbrojtësve tanë përballë sulmuesve kundërshtarë”.
Në pjesën e dytë, Milani i lejoi shumë pak hapësira Interit.
“Kjo erdhi falë linjave më të afërta dhe distancave më të shkurtra mes lojtarëve. Kjo na lejoi të vraponim më pak dhe të ishim më të freskët gjatë ndeshjes. Ishim shumë agresivë në krahë, ndërhymë në shumë krosime dhe kjo është shumë e vështirë ndaj një skuadre si Interi. Mbrojtëm mirë duke ushtruar presion të lartë, por edhe në anët e fushës. Ishim më agresivë se zakonisht”.
Objektivi i titullit kampion për momentin mbetet në plan të dytë, pavarësisht fitores së mbrëmjes.
“E rëndësishme është të fitojmë ndeshje të tilla për t’u treguar tifozëve se gjërat nuk mund të ndryshojnë brenda një muaji, dy muajsh apo një viti. Duhet të ndjekim këtë rrugëtim. Nuk mund të marrësh një trajner, të ndryshosh të gjithë lojtarët dhe të krijosh një skuadër të re për çdo trajner që vjen. Duhet kohë. Do të kemi nevojë për netë magjike, por edhe të kalojmë vështirësitë, si ajo e së mërkurës. Situata nuk mund të ndryshojë brenda natës”.
Për të luftuar për trofe, nevojitet një proces zhvillimi, i cili nuk ka domosdoshmërisht një afat të shkurtër.
“Nuk e di se kur do të ndodhë, por duhet të jemi shumë të sinqertë me tifozët. Ata nuk janë të paditur. Njerëzit e kuptojnë dhe e dinë se në çfarë faze zhvillimi ndodhet kjo skuadër dhe ky klub”.


