Barometri i Ballkanit: 55% e shqiptarëve kanë si përparësi uljen e tarifave të energjisë

Për më shumë se gjysmën e qytetarëve shqiptarë, ulja e çmimit të energjisë është çështja më urgjente në sektorin energjetik. Megjithatë, kjo nuk zbeh përkrahjen për kalimin te burimet e rinovueshme. Barometri i Ballkanit 2025 tregon se 55% e të anketuarve në Shqipëri rendisin uljen e çmimit si përparësinë kryesore, 12 pikë përqindjeje më shumë se mesatarja 43% e Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë, 60% mbështesin shtimin e investimeve në energjinë diellore, të erës dhe atë hidroenergjetike, edhe nëse kjo sjell kosto më të larta në afat të shkurtër.

Kur pyeten për drejtimin që duhet të ndjekë politika energjetike e vendit, shqiptarët vendosin çmimin dukshëm përpara alternativave të tjera. Pas uljes së çmimeve, të zgjedhur nga 55%, vijnë investimet në energjinë e rinovueshme me 23%, siguria dhe qëndrueshmëria e furnizimit me 12%, pakësimi i varësisë nga importet me 7% dhe ulja e ndikimit mjedisor të prodhimit të energjisë me 3%.

Të lidhura

None found

Shqetësimi për koston e energjisë në Shqipëri është mbi nivelin mesatar të rajonit, por jo më i larti. Në Kosovë, 76% e qytetarëve e kanë uljen e çmimeve si përparësi të parë. E njëjta zgjedhje bëhet nga 42% në Maqedoninë e Veriut, 34% në Mal të Zi, 28% në Serbi dhe 25% në Bosnjë-Hercegovinë. Kjo e fundit përbën rastin e veçantë në rajon, pasi investimet në burimet e rinovueshme, me 37%, renditen para uljes së çmimeve.

Pavarësisht ndjeshmërisë ndaj çmimeve, investimet në energjinë e gjelbër gëzojnë mbështetjen e shumicës. Në Shqipëri, 60% janë pro rritjes së investimeve në burimet e rinovueshme edhe në rast se ato sjellin çmime më të larta në periudhën afatshkurtër. Kundër kësaj qasjeje janë 31%, ndërsa 9% nuk kanë dhënë një përgjigje të përcaktuar. Për rajonin, mesatarja e mbështetjes arrin në 63%.

Energjia2

Shifra për Shqipërinë është 3 pikë përqindjeje më e ulët se mesatarja rajonale, por përkrahja mbetet e qartë. Mali i Zi kryeson me 70% të qytetarëve që pranojnë investime më të mëdha në energjinë e rinovueshme edhe nëse kostot rriten përkohësisht. Më pas renditen Bosnjë-Hercegovina me 64% dhe Kosova me 63%. Shqipëria, me 60%, qëndron pak mbi Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, të cilat kanë nga 59%.

Raporti e vlerëson kënaqësinë e shqiptarëve me furnizimin me energji, përfshirë besueshmërinë dhe përballueshmërinë, me mesataren 3.5 nga 5. Ky është rezultati më i lartë mes gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor. Kosova ka marrë 3.4, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia nga 3.3, ndërsa Mali i Zi 3.2. Mesatarja rajonale është 3.3.

Në Shqipëri, 42% shprehen të kënaqur dhe 19% shumë të kënaqur me furnizimin aktual me energji, pra përgjigjet pozitive arrijnë gjithsej në 61%. Nga ana tjetër, 8% janë shumë të pakënaqur dhe 15% të pakënaqur, ndërsa 18% kanë qëndrim neutral.