
Një meteorit i zbuluar në vitin 2022 në shkretëtirën e Saharasë, në Mali, u formua në koren e Marsit të paktën 4.1 miliardë vjet më parë, sipas shkencëtarëve. Kjo e bën këtë shkëmb magmatik me ngjyrë të kuqërremtë ndoshta më të vjetrin ndër 435 meteoritët e ardhur nga Marsi që njihen në Tokë, shkruan Reuters.
Studiuesit thanë se përbërja e meteoritit, të quajtur Teghaza 001, po ofron të dhëna mbi mjedisin e planetit fqinj të Tokës në fazat e hershme të historisë së tij. Ai sjell prova të reja për praninë e ujit të lëngshëm në sipërfaqe, duke përforcuar idenë se Marsi në periudhën e tij të hershme mund të ketë pasur kushte të përshtatshme për jetën mikrobike.
Shkencëtarja e planetëve Yang Liu, nga Laboratori i Propulsionit Reaktiv i NASA-s në Kaliforni, i menaxhuar nga Caltech, e cilësoi meteoritin si “një dëshmitar të një kohe kur Marsi ka të ngjarë të ketë qenë më i ngrohtë dhe më i lagësht sesa gjatë pjesës më të madhe të historisë së tij”.
Përbërja kimike e meteoritit, një lloj shkëmbi me kokrriza të trasha i njohur si gabro, tregon se ai ka pasur ndërveprime me ujin gjatë procesit të ftohjes dhe kristalizimit të ngadaltë në nëntokën e Marsit. Ai ishte pjesë e kores marsiane, shtresa më e jashtme e planetit, por u formua nga magma që vinte nga thellësi më të mëdha të mantelit të tij.
Marsi sot është i ftohtë, i thatë dhe i shkretë, por prova të shumta tregojnë se miliarda vjet më parë në sipërfaqen e tij rridhnin ujëra në formën e lumenjve, liqeneve dhe një oqeani në hemisferën veriore.
Teghaza 001 u zbulua në tetë pjesë, ku fragmenti më i madh ishte afërsisht sa një grusht, në shkretëtirë, rreth 34 kilometra larg fshatit malian Bir Chali. Mineralet kryesore të tij janë feldspati dhe pirokseni, ndërsa përmban edhe kristale zirkoni që kanë elementin uranium. Studiuesit përcaktuan moshën e tij përmes një teknike të bazuar në zbërthimin e uraniumit në plumb me kalimin e kohës.
“Meteoritët marsianë janë të vetmet mostra që kemi nga Marsi. Ata përbëjnë bazën për të kuptuar formimin dhe diferencimin e Marsit të hershëm dhe na lejojnë të vlerësojmë në laboratorë nëse Marsi i lashtë mund të ketë mbështetur kushte të përshtatshme për jetën”, tha Liu, autorja kryesore e një studimi mbi meteoritin, të botuar në revistën Science.
“Informacioni i detajuar që mund të nxjerrim nga këto mostra meteoritesh plotëson dhe vërteton rezultatet e eksplorimit të Marsit përmes satelitëve, sondave që zbresin në sipërfaqe dhe roverëve”, tha Liu.
Ky informacion ofron të dhëna se si evolucioni i Marsit u nda nga ai i Tokës, ndërsa të dy planetët ishin ende në fazat e para të formimit dhe jeta po fillonte të shfaqej në planetin tonë, tha Liu. Toka, Marsi dhe planetët e tjerë të Sistemit Diellor u formuan rreth 4.5 miliardë vjet më parë.
Vetëm tre meteoritë marsianë, përfshirë Teghaza 001, datojnë nga periudha e hershme e historisë së planetit. Njëri prej tyre, i zbuluar në Antarktidë në vitin 1984, fillimisht u vlerësua se ishte rreth 4.5 miliardë vjet i vjetër, por studimet më të fundit kanë përcaktuar se ka një moshë të ngjashme me Teghaza 001. Sipas studimit të ri, Teghaza 001 ka të ngjarë të jetë më i vjetër se ai.
Izotopet, ose format e elementeve oksigjen dhe hidrogjen të pranishme në meteorit, tregojnë se uji depërtonte në shtresat më të thella të kores së planetit, siç ndodh edhe në Tokë, dhe përzihej me shkëmbin e shkrirë që vinte nga manteli.
“Disa linja provash në Teghaza 001 sugjerojnë se sipërfaqja e Marsit kishte ujë më shumë se 4.1 miliardë vjet më parë. Kjo pasqyrohet te izotopet e hidrogjenit në fosfat dhe izotopet e oksigjenit në minerale dhe në mostrat e përgjithshme”, tha Liu.
Uji konsiderohet një përbërës thelbësor për jetën.
“Gjetjet mbështesin idenë se Marsi i hershëm kishte përbërësit dhe kushtet e nevojshme për të mundësuar ekzistencën e jetës, por nuk i japin drejtpërdrejt përgjigje pyetjes nëse ka pasur jetë në Mars”, tha shkencëtari i planetëve Lee Saper, bashkautor i studimit, nga Qendra Kërkimore Ames e NASA-s dhe Instituti BAER në Kaliforni.
“Shkëmbi është një pamje e ngrirë në kohë, që tregon se si një Mars i hershëm më i lagësht, me një atmosferë të dendur, mund të ketë mbështetur kushte të përshtatshme për jetën. Megjithatë, këto kushte po zhdukeshin me shpejtësi gjatë miliardit të parë të viteve të ekzistencës së Marsit, duke e çuar planetin drejt mjedisit të tij aktual të thatë dhe të papërshtatshëm për jetën”, tha Saper.
Përbërja kimike e Teghaza 001 tregon se ai është i ndryshëm nga meteoritët e tjerë marsianë të njohur. Ai mund të ketë origjinën në zonat malore jugore të Marsit, ndoshta pranë Basenit Hellas, një prej kratereve më të mëdha të krijuara nga goditjet në këtë planet, tha Liu.
Meteorit ka edhe një histori të jashtëzakonshme.
“Ai u shkëput nga sipërfaqja e Marsit si pasojë e një goditjeje dhe udhëtoi në hapësirë derisa trajektorja e tij kryqëzoi atë të Tokës. Më pas hyri në atmosferën tonë si meteor dhe arriti të mbijetonte si meteorit, duke rënë në Saharë”, tha Liu. “Nuk e dimë se kur ka rënë kjo mostër në Tokë”.