Bullgaria voton këtë të diel në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, në një garë të fortë që shihet edhe si një përballje mes orientimit pro-perëndimor dhe afrimit me Rusinë. Përballë njëra-tjetrës janë presidentja Iliana Iotova, e cila mbështet dialogun me Moskën dhe kundërshton shtimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, dhe Andrey Gyurov, ish-kryeministër i përkohshëm dhe ish-zëvendësguvernator i Bankës Kombëtare Bullgare, i mbështetur nga opozita pro-perëndimore.
Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 20:00, me mundësi zgjatjeje deri në orën 21:00 në rast se ka ende votues në radhë.
Në raundin e parë, Iotova mori 35% të votave, ndërsa Gyurov siguroi 32%, një diferencë shumë më e ngushtë nga ajo që parashikonin sondazhet, të cilat i jepnin presidentes një avantazh prej 20 pikësh. Pjesëmarrja ishte historikisht e ulët, me vetëm 23% të votuesve që iu drejtuan kutive të votimit.
Fushata është dominuar nga qëndrimet e dy kandidatëve për luftën në Ukrainë dhe marrëdhëniet me Rusinë. Iotova, e cila e ka cilësuar veten si një presidente të paqes, këmbëngul se zgjidhja e konfliktit mund të vijë vetëm përmes negociatave me Moskën. Ajo argumenton se furnizimi i Ukrainës me armë gjithnjë e më të avancuara sjell vetëm më shumë shkatërrim dhe viktima.
Nga ana tjetër, Gyurov ka kritikuar qëndrimet e saj, veçanërisht mungesën e një dënimi të drejtpërdrejtë ndaj Rusisë për sulmet e dyshuara në Detin e Zi. Në tetor, disa anije u goditën në ujërat pranë Bullgarisë, duke lënë 21 persona të zhdukur, në një incident që dyshohet se lidhet me përhapjen e konfliktit ruso-ukrainas.
Megjithëse qeveria bullgare ka thirrur ambasadorin rus pas incidenteve, autoritetet kanë deklaruar se deri tani nuk ka prova që i lidhin drejtpërdrejt sulmet me Moskën.
Bullgaria, vend anëtar i Bashkimit Europian dhe NATO-s, mbetet e ndarë për marrëdhëniet me Rusinë, me të cilën ka pasur historikisht lidhje të afërta. Nëse fiton, 62-vjeçarja Iotova do të bëhet gruaja e parë e zgjedhur presidente në historinë e vendit.
Ndërkohë, Gyurov e ka paraqitur garën si një zgjedhje mes dy personaliteteve dhe dy drejtimeve të ndryshme për të ardhmen e Bullgarisë. Opozita ka akuzuar gjithashtu kryeministrin Rumen Radev se ka përdorur burimet dhe postin shtetëror për të mbështetur kandidaturën e Iotovës, pretendime që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka rrëzuar, por që janë dërguar në gjykatë për shqyrtim.


