Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, tha se gati të gjitha vendet e pranishme në tryezën e bisedimeve janë dakord që duhet shmangur një konflikt i ri midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit dhe se diplomacia duhet të ketë gjithmonë prioritet.
Fidan i bëri këto komente në një intervistë për mediat shtetërore turke, në kuadër të takimit të ministrave të Jashtëm të G20-së që po zhvillohet në Atlanta të SHBA-ve.
Sipas tij, mosmarrëveshja që ka çuar në mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, duhet zgjidhur sa më shpejt, që rrugët kritike tregtare të rihapen.
Ka një ndjenjë pritjeje dhe kureshtjeje se si do të zhvillohen bisedimet e vazhdueshme midis SHBA-ve e Iranit dhe nëse do të lindë apo jo një konflikt i ri.
Kryediplomati përfundoi duke theksuar se “praktikisht të gjitha vendet në tryezë janë dakord se një konflikt i ri duhet shmangur dhe se diplomacia duhet të ketë vazhdimisht një shans.”
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës dhe gazit në botë. Mbyllja ka shkaktuar shqetësime të mëdha për tregtinë ndërkombëtare dhe furnizimin me energji. Deklarata e Fidanit vjen në një moment të tensionuar në rajon, ku bisedimet diplomatike shihet si rruga kryesore për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Turqia, e cila ka mbajtur një pozicion të ekuilibruar në çështjet e Lindjes së Mesme, vazhdon të theksojë rëndësinë e dialogut dhe zgjidhjeve paqësore.