Komisioni Europian ka bërë të ditur se po ndjek nga afër krizën rreth Gjykatës Kushtetuese të Polonisë, pas përplasjes së regjistruar të premten në mbrëmje jashtë godinës së saj. Ngjarja u transmetua drejtpërdrejt në televizion dhe riktheu në vëmendje një konflikt që vijon prej më shumë se një dekade në vend.
Një zëdhënës i Komisionit Europian deklaroi se autoritetet polake duhet të garantojnë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe vendimet përkatëse të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian.
Ai theksoi gjithashtu se emërimi i tetë anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese është kompetencë kushtetuese e Sejmit, parlamentit polak.
Komisioni iu referua edhe një vendimi të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, e cila më 5 maj 2026 vendosi masa të përkohshme, duke kërkuar nga autoritetet polake që të mos pengojnë marrjen dhe ushtrimin e detyrave gjyqësore nga gjyqtarët e emëruar nga parlamenti në mars 2026.
Tusk: “Rikthimi i qetësisë nuk do të thotë pranimi i paligjshmërisë”
Kryeministri polak Donald Tusk iu drejtua qytetarëve përmes një fjalimi televiziv të shtunën në mbrëmje, në reagimin e tij të parë të rëndësishëm pas krizës. Ai i cilësoi ngjarjet e së premtes si “incidente skandaloze” dhe tha se shpresonte që skena të tilla të mos përsëriteshin më në Poloni.
“Rikthimi i qetësisë nuk mund të nënkuptojë pranimin e paligjshmërisë apo dhunës”, deklaroi Tusk, duke premtuar se do të rikthejë kushtet për një drejtësi të pavarur dhe respektimin e shtetit të së drejtës.
“Një shtet demokratik duhet të jetë i fortë dhe i aftë të vendosë drejtësinë”, shtoi ai, duke theksuar se shteti i së drejtës do të triumfojë mbi dhunën.
Kriza u përshkallëzua të premten në mbrëmje, kur presidenti Karol Nawrocki tentoi të hynte në godinën e Gjykatës Kushtetuese, në kushtet e një ngërçi për emërimin e gjyqtarëve të rinj. Policia rrethoi ndërtesën, ndërsa përplasja u transmetua drejtpërdrejt në televizion, duke nxjerrë në pah konfliktin në rritje mes presidentit dhe qeverisë për përbërjen e gjykatës më të lartë të vendit.
Qeveria e Tusk thotë se po vijon reformat e nevojshme për rikthimin e shtetit të së drejtës, pas viteve kur, sipas saj, partia Ligj dhe Drejtësi (PiS) ndërhyri në sistemin gjyqësor. Nga ana tjetër, opozita akuzon qeverinë se po tenton të organizojë një grusht shteti.
Konservatorët europianë akuzojnë BE-në për heshtje
Bashkëdrejtuesit e grupit të Konservatorëve dhe Reformistëve Europianë (ECR) dënuan të shtunën veprimet e qeverisë polake, duke i cilësuar ato si shkelje të shtetit të së drejtës. Ata shprehën gjithashtu mbështetjen për presidentin Karol Nawrocki.
“Veprimet e qeverisë Tusk përbëjnë një shkelje të qartë dhe të rëndë të shtetit të së drejtës. Ne dënojmë këtë sulm ndaj pavarësisë së gjyqësorit dhe garancive kushtetuese të Polonisë. Asnjë qeveri nuk qëndron mbi ligjin”, deklaroi bashkëdrejtuesi i ECR-së, Nicola Procaccini.
Ai shtoi se institucionet europiane “nuk duhet të mbyllin sytë” përballë kësaj situate dhe theksoi se respektimi i sovranitetit kombëtar dhe pavarësisë së gjyqësorit duhet të mbetet një parim, pavarësisht aleancave politike.
Legjitimiteti i Gjykatës Kushtetuese polake është vënë në pikëpyetje prej më shumë se një dekade. Konflikti nisi në vitin 2015, kur partia Platforma Qytetare, që ishte në pushtet në atë kohë, dhe partia opozitare Ligj dhe Drejtësi u përplasën për emërimin e pesë gjyqtarëve.
Që prej asaj kohe, mosmarrëveshja është shndërruar në një konflikt më të gjerë për pavarësinë e gjyqësorit, përbërjen e Gjykatës Kushtetuese dhe autoritetin e vendimeve të saj.










