Një shpërthim i dyshuar i lëndës plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele në zonën e Tufinës, në Tiranë.

Lënda plasëse është hedhur në tarracën e një dyqani lulesh në pronësi të një 65-vjeçari, duke shkaktuar dëme të vogla materiale. Policia bën me dije se ka identifikuar autorin e dyshuar, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i policisë: Tiranë/Informacion paraprak. Më datë 01.11.2026, rreth orës 02:45, në Tufinë, në tarracën e një dyqani lulesh, në pronësi të shtetasit A. K., rreth 65 vjeç, është hedhur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël e dyshuar lënde plasëse.

Si pasojë janë shkaktuar dëme të vogla materiale.

Nga veprimet hetimore të kryera është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar. Për shkak të vijimit të hetimeve, nuk bëhen me dije gjeneralitetet e tij.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave të saj.