Aktualitet

KLSH-ja gjen shumë shkelje në buxhetin 2025, dëmi 135 milionë euro!

Në raportin për zbatimin e Buxhetit të Shtetit 2025, Kontrolli i Lartë i Shtetit, KLSH, gjeti shkelje të panumërta:

Kontraktimi i procedurave të prokurimit me vlera më të larta se fondet në dispozicion; angazhime mbi fondet buxhetore të miratuara; rritje e ndjeshme e stokut të borxhit tatimor e doganor; mangësi në planifikimin dhe detajimin e investimeve publike.

Çelja e fondeve të investimit pa u detajuar në projekte konkrete; mangësi në mbështetjen teknike të sistemeve informatike financiare duke vijuar ekzekutimin e buxhetit nëpërmjet dorëzimit fizik të dokumentacionit pranë degëve të Thesarit; rishikim i planit buxhetor të vitit 2025 edhe pas përfundimit të vitit buxhetor, deri në muajin shkurt 2026; përqendrim i konsiderueshëm i pagesave në fund të vitit, ku mbi 20% e shpenzimeve vjetore u kryen vetëm në dhjetor.

Sipas aneksit të raportit, auditimet kanë evidentuar 171.9 milionë lekë dëm ekonomik dhe 12.3 miliardë lekë efekte financiare negative. Në total, vlera e dy kategorive arrin në rreth 12.5 miliardë lekë apo rreth 135 milionë euro.

Për shkak të mospërputhjeve të rëndësishme me kërkesat ligjore, KLSH-ja dha një konkluzion të kualifikuar për zbatimin e buxhetit të vitit 2025, duke evidentuar probleme në planifikimin, ekzekutimin dhe raportimin e tij.

Një nga problematikat më të mëdha lidhet me administrimin e investimeve publike. Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi se në 44 raste janë nisur procedura prokurimi për kontrata me vlerë të përgjithshme 16.8 miliardë lekë, ndonëse fondet buxhetore në dispozicion ishin më të ulëta se vlera që synohej të kontraktohej.

Në 39 projekte të tjera janë marrë angazhime financiare të cilat tejkalonin fondet e miratuara, me një diferencë prej 4.28 miliardë lekësh.

Institucionet kanë marrë përsipër detyrime përtej financimit të parashikuar, duke krijuar rrezik për mungesë fondesh gjatë zbatimit të kontratave, si dhe për shtimin e detyrimeve të prapambetura.

Ndër të tjera, mangësi të shumta u evidentuan që në fazën e hartimit të buxhetit dhe planifikimit të investimeve publike.

Sipas raportit, gjatë vitit 2025 u çelën fonde investimi me vlerë 5.26 miliardë lekë, pa u detajuar në projekte konkrete. Fondet janë vënë në dispozicion pa përcaktuar plotësisht investimet për të cilat do të përdoreshin.

Ndërkohë, 32 kontrata të nisura në vitet e mëparshme nuk kishin fonde të çelura në buxhetin fillestar të vitit 2025, megjithëse ishin investime në vazhdim dhe kërkonin financim për përmbushjen e detyrimeve kontraktuale.

Problemet në planifikim janë shoqëruar edhe me mosrealizim të konsiderueshëm të investimeve. Shpenzimet kapitale të 2025-ës rezultuan 25.45 miliardë lekë më pak se plani përfundimtar./Monitor