Avokati i Popullit thekson se nga Policia e Shtetit, “forca duhet të përdoret vetëm kur është e domosdoshme, e ligjshme dhe proporcionale, në çdo protestë”. Reagimi vjen pas monitorimit të ngjarjeve të djeshme, kur protesta para Ministrisë së Arsimit u përshkallëzua në përplasje.
Avokati i Popullit kërkon edhe instalimin e sistemit audioviziv për regjistrimin e intervistave në komisariate. Sipas institucionit, “duhet të dokumentohen arsyet konkrete për çdo shoqërim dhe çdo i ndaluar duhet të informohet për arsyet e ndalimit”.
Po ashtu, rekomandohet identifikimi i çdo punonjësi të policisë në çdo kohë, duke garantuar që uniforma të përmbajë numrin e identifikimit.
Avokati i Popullit fton çdo person që beson se të drejtat e tij janë shkelur gjatë protestës ose gjatë shoqërimit t’i drejtohet institucionit me ankesë individuale.
Njoftimi i plotë:
Avokati i Popullit thekson se përdorimi i forcës nga policia duhet të përdoret vetëm kur është i domosdoshëm, i ligjshëm dhe proporcional. Ky standard vlen për çdo protestë.
Protesta përpara Ministrisë së Arsimit filloi rreth orës 12:00 të së shtunës, 31 tetor 2026. Rreth një orë më vonë, situata u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Kostatuam përdorimin e gazit lotsjellës dhe të ujit me presion nga katër automjete të posaçme të policisë.
Grupi i monitorimit i Avokatit të Popullit inspektoi komisariatet nr. 1, 3 dhe 4 dhe mori informacion nga komisariatet nr. 2, 5 dhe 6.
Gjatë protestës u shoqëruan nëntë persona: gjashtë në Komisariatin nr. 1 dhe tre në Komisariatin nr. 3. Katër prej tyre ishin të mitur. Katër të rriturit në Komisariatin nr. 1 deklaruan se ishin kalimtarë dhe nuk kishin marrë pjesë në protestë.
Dy të miturit në Komisariatin nr. 1 u intervistuan në prani të psikologut dhe të Agjencisë për Mbrojtjen e Fëmijëve, dhe familjet e tyre u njoftuan. U konstatua sërish se në këtë komisariat nuk ka sistem audioviziv për regjistrimin e intervistave.
Për në vijim Avokati i Popullit rekomandon:
• Verifikim të plotë të përdorimit të forcës, me vlerësim të domosdoshmërisë, ligjshmërisë dhe proporcionalitetit të mjeteve, përfshirë gazin lotsjellës dhe ujin me presion.
• Instalimin e sistemit audioviziv për regjistrimin e intervistave.
• Dokumentimin e arsyeve konkrete për çdo shoqërim, dhe informimin e çdo të ndaluari për arsyet e ndalimit.
* Identifikimin e çdo punonjësi të policisë në çdo kohë duke garantuar që uniforma përmban numrin e identifikimit.
Avokati i Popullit fton çdo person, i cili beson se të drejtat e tij janë shkelur gjatë protestës ose gjatë shoqërimit, t’i drejtohet institucionit me ankesë individuale.