Bota

Kryediplomati amerikan Rubio dyshon në arritjen e paqes së negociuar në Ukrainë!

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, nuk është i sigurt mbi mundësinë e përfundimit të luftës në Ukrainë përmes negociatave. Zyrtarë evropianë i thanë Radios Evropa e Lirë se privatisht, kryediplomati ka shprehur dyshime edhe për pjesëmarrjen e presidentit Putin, në samitin e G20-ës, që mbahet në Majami, muajin tjetër.

Zyrtarët që folën në kushte anonimiteti, thanë se privatisht, Rubio iu përcolli homologëve perëndimorë dyshimet e tij për arritjen e një marrëveshjeje paqeje në muajt e ardhshëm. Këto diskutime u zhvilluan gjatë takimit dyditor të ministrave të Jashtëm të G20-ës në Atlanta. Punimet përfunduan dje.

Deklaratat publike të Rubios në konferencën përmbyllëse për media ishin dukshëm të rezervuara. I pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse besonte se mund të arrihej një marrëveshje përmes negociatave, duke pasur parasysh se Moska nuk e ka ndryshuar qëndrimin, ai tha se Uashingtoni ende po përpiqet të përcaktojë nëse është i mundur një akord.

Nuk e di nëse paqja përmes negociatave është e arritshme në Ukrainë. Këtë po përpiqemi ta zbulojmë. Nuk mendoj se dikush këtu po pretendon se jemi në prag të një marrëveshjeje përmes negociatave.

Të dërguarit e presidentit Trump, Jared Kushner e Steve Witkoff, po i kushtojnë një pjesë të madhe të kohës çështjeve të Ukrainës dhe Iranit.

Por, nuk jam këtu për t’ju thënë se jemi në prag të një marrëveshjeje të tillë. Shpresoj që përfundimisht të arrihet një marrëveshje.

Gjithashtu, sqaroi se negociatat për Ukrainën nuk u diskutuan gjatë takimit të G20-ës në Atlanta.

Ftesa për Putinin në Majami

Rubio ishte po aq i kujdesshëm kur u pyet nëse Putin do të merrte pjesë në samitin e dhjetorit, i planifikuar nga Trump në Florida.

Nuk e di as nëse presidenti Putin do të vijë në Majami. Ende nuk na ka njoftuar dhe as konfirmuar.