
Me urdhër të Prokurorisë së Lartë në Beograd, policia ka arrestuar kreun e Policisë Kriminale, Marko Kricak, mëson agjencia Tanjug. Ai dyshohet për shpërdorim të detyrës zyrtare. Në pranga është vënë gjithashtu edhe Bosko Sekulovic, drejtuesi i Shërbimit për Luftën kundër Krimit.
Sipas informacioneve të Tanjug, arrestimet janë kryer në lidhje me veprimet e tyre të paligjshme në çështjen e njohur si “Senjak”, si dhe për shkak të rrahjes së disa të dyshuarve në këtë çështje, në ambientet e komisariatit të policisë, gjatë marrjes së tyre në pyetje, shkruan Vreme.
Marko Kricak qëndroi pak më shumë se një vit në krye të Drejtorisë së Policisë Kriminale (UKP). Përpara kësaj detyre, ai drejtonte Njësinë për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve.
Kricak drejtoi aksionin policor pas vrasjes së Aleksandar Nešović, i njohur si Baja, në restorantin “27” në zonën e Senjakut. Fillimisht, për këtë ngjarje u ngarkua me përgjegjësi Veselin Milić, i cili, përveçse zëvendësdrejtor, ishte edhe drejtues i Policisë së Beogradit.
Ai u bë i njohur për publikun pasi studentja Nikolina Sinđelić e akuzoi për kërcënime dhe brutalitet policor në garazhin e ndërtesës së Qeverisë së Serbisë, gjatë protestave të vitit të kaluar. Ajo paraqiti gjithashtu një kallëzim penal kundër tij.
Kricak u emërua në detyrën e drejtuesit të UKP-së më 30 dhjetor 2025. Ai e nisi karrierën profesionale në Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit (BIA), ku punoi në Drejtorinë V.
Më pas, vijoi karrierën në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Shërbimin për Luftën kundër Krimit të Organizuar (SBPOK), në Departamentin për Luftën kundër Drogës. Atje iu besuan detyra me shkallë të lartë vështirësie, ku, sipas përshkrimit të karrierës së tij, u veçuan profesionalizmi, patriotizmi dhe motivimi i lartë për përmbushjen e çdo detyre në mënyrë të plotë dhe të saktë.
Nga Drejtoria e Policisë për Qytetin e Beogradit, për shkak të nevojave të shërbimit, ai u transferua në Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit, në Drejtorinë VIII, në detyrën e ndihmësdrejtuesit të kësaj drejtorie.
Në vitin 2022 u bë zëvendëskomandant i Njësisë për Sigurinë e Personave dhe Objekteve të Caktuara (JZO), ndërsa në vitin 2023 u emërua komandant i kësaj njësie.