Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin për zbatimin e buxhetit të shteti 2025, ka gjetur shkelje të panumërta nga kontraktimi i procedurave të prokurimit me vlera më të larta se fondet në dispozixion; angazhime mbi fondet buxhetore të miratuara; rritje e ndjeshme e stokut të borxhit tatimor e doganmor; mangësi në planifikimin dhe detajimin e investimeve publike; çelja e fondeve të investimit pa u detajuar në projekte konkrete; mangësi në mbështetjen teknike të sistemeve informatike financiare duke vijuar ekzekutimin e buxhetit nëpërmjet dorëzimit fizik të dokumentacionit pranë degëve të Thesarit; rishikimit të planit buxhetor të vitit 2025 edhe pas përfundimit të vitit buxhetor, deri në muajin shkurt 2026; përqendrim i konsiderueshëm i pagesave në fund të vitit, ku mbi 20% e shpenzimeve vjetore u kryen vetëm në dhjetor.
Sipas aneksit të raportit, auditimet kanë evidentuar 171.9 milionë lekë dëm ekonomik dhe 12.3 miliardë lekë efekte financiare negative. Në total, vlera e dy kategorive arrin në rreth 12.5 miliardë lekë, apo rreth 135 milionë euro.
Për shkak të mospërputhjeve të rëndësishme me kërkesat ligjore, KLSH ka dhënë një konkluzion të kualifikuar për zbatimin e buxhetit të vitit 2025, duke evidentuar probleme në planifikimin, ekzekutimin dhe raportimin e tij.
Prokurime për 16.8 miliardë lekë me fonde të pamjaftueshme
Një nga problematikat më të mëdha lidhet me administrimin e investimeve publike. KLSH ka konstatuar se në 44 raste janë nisur procedura prokurimi për kontrata me vlerë të përgjithshme 16.8 miliardë lekë, ndonëse fondet buxhetore në dispozicion ishin më të ulëta se vlera që synohej të kontraktohej.
Në 39 projekte të tjera janë marrë angazhime financiare që tejkalonin fondet e miratuara, me një diferencë prej 4.28 miliardë lekësh. Institucionet kanë marrë përsipër detyrime përtej financimit të parashikuar, duke krijuar rrezik për mungesë fondesh gjatë zbatimit të kontratave dhe për shtimin e detyrimeve të prapambetura.
Auditimi ka evidentuar edhe raste kur fondet e projekteve janë pakësuar pasi ishin lidhur kontratat, si dhe mospërputhje ndërmjet kostos së përgjithshme të investimeve dhe financimit të shpërndarë ndër vite. Problemet janë shoqëruar me vonesa në realizimin e punimeve dhe mangësi në monitorimin e zbatimit të kontratave.
Shkelje janë gjetur edhe te parapagimet. Për tre projekte investimi, me parapagime totale prej 1.15 miliardë lekësh, KLSH nuk ka gjetur dokumentacionin që justifikonte trajtimin e tyre si raste me rëndësi të veçantë. Për dy prej këtyre projekteve, me parapagime prej 841.7 milionë lekësh, mungonte edhe dokumentimi i miratimit paraprak nga Ministri i Financave. Në këto raste, parapagimet kishin arritur në 20% të vlerës së kontratës, nga kufiri maksimal i lejuar prej 10%.
Problematikat nuk kufizohen te mungesa e fondeve. Nga auditimet në institucionet publike janë evidentuar mangësi në hartimin e preventivave, përcaktimin e specifikimeve teknike dhe kritereve të kualifikimit, copëzim të fondeve të prokurimit, si dhe raste kur janë shpallur fitues operatorë ekonomikë që nuk plotësonin kriteret e kërkuara.
KLSH ka konstatuar gjithashtu ndryshime të paargumentuara të afateve të kontratave dhe preventivave, vonesa në përfundimin e punimeve, moszbatim të penaliteteve kontraktuale dhe raste pagesash për punime të pakryera ose pa dokumentacion mbështetës.
Miliarda lekë investime të planifikuara pa projekte konkrete
Mangësi të shumta janë evidentuar që në fazën e hartimit të buxhetit dhe planifikimit të investimeve publike.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025 janë çelur fonde investimi me vlerë 5.26 miliardë lekë, pa u detajuar në projekte konkrete. Fondet janë vënë në dispozicion pa përcaktuar plotësisht investimet për të cilat do të përdoreshin.
Ndërkohë, 32 kontrata të nisura në vitet e mëparshme nuk kishin fonde të çelura në buxhetin fillestar të vitit 2025, megjithëse ishin investime në vazhdim dhe kërkonin financim për përmbushjen e detyrimeve kontraktuale.
Gjatë vitit janë shtuar edhe 17 projekte me vlerë kontratash 2.45 miliardë lekë, të cilat nuk ishin pjesë e Programit Buxhetor Afatmesëm dhe nuk kishin ndjekur plotësisht procedurat e kërkuara për menaxhimin e investimeve publike.
Në fund të vitit, 188 projekte kishin fonde të planifikuara prej 3.59 miliardë lekësh, por nuk kishin asnjë realizim. Megjithëse këto investime nuk kishin avancuar, fondet nuk ishin rishpërndarë drejt projekteve të tjera që kishin nevojë për financim.
Problemet në planifikim janë shoqëruar edhe me mosrealizim të konsiderueshëm të investimeve. Shpenzimet kapitale të vitit 2025 rezultuan 25.45 miliardë lekë më pak se plani përfundimtar, kryesisht për shkak të vonesave në projektet me financim të huaj. Vetëm investimet e financuara nga burime të huaja ishin 15.83 miliardë lekë nën nivelin e parashikuar.
Buxheti i vitit 2025 u ndryshua edhe në shkurt 2026
Një tjetër problematikë e evidentuar nga KLSH lidhet me ndryshimet e vazhdueshme të planit buxhetor, përfshirë rishikime të kryera pas përfundimit të vitit financiar.
Gjatë vitit 2025, në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë janë regjistruar 28,412 ndryshime në zërat buxhetorë, që u përkasin 3,106 rishikimeve të veçanta. Rreth 17% e këtyre rishikimeve janë kryer vetëm në muajin dhjetor.
KLSH ka konstatuar ndryshime edhe pas afatit ligjor të 15 nëntorit, të lidhura me Aktin Normativ nr. 11, të miratuar më 19 dhjetor 2025, vetëm pak ditë përpara përfundimit të vitit buxhetor.
Madje, sipas raportit, janë evidentuar raste kur plani i buxhetit të vitit 2025 është rishikuar deri në shkurt 2026, pasi viti financiar kishte përfunduar.
Auditimi ka gjetur edhe mospërputhje ndërmjet treguesve të miratuar me ligjin e buxhetit dhe atyre të regjistruar në sistemin financiar të qeverisë. Diferencat përfshijnë të ardhurat jotatimore, shpenzimet korrente dhe kapitale, fondet e pashpërndara dhe treguesit e financimit të deficitit.
KLSH ka evidentuar gjithashtu mosrespektim të afateve të përgatitjes së dokumenteve buxhetore, kërkesa për financim mbi tavanet e miratuara dhe mungesë dokumentacioni mbështetës për një pjesë të planifikimit.
Mijëra kontrata dhe fatura të regjistruara me vonesë, sistemet financiare pa mirëmbajtje, akoma me dorëzime fizike
Ekzekutimi i buxhetit është shoqëruar edhe me probleme në funksionimin e sistemeve informatike të financave publike.
Sipas KLSH-së, Sistemi Informatik i Menaxhimit Financiar Shqiptar ka funksionuar pa mbështetje teknike që prej korrikut 2024, ndërsa Sistemi Informatik Financiar i Qeverisë ka mbetur pa mirëmbajtje dhe mbështetje funksionale të jashtme pas përfundimit të kontratës në tetor 2025.
Në këto kushte, një pjesë e procedurave të ekzekutimit të buxhetit ka vijuar përmes dorëzimit fizik të dokumentacionit në degët e Thesarit, në vend të administrimit të plotë elektronik.
Vonesat në administrimin e dokumentacionit financiar kanë përfshirë shuma të konsiderueshme. KLSH ka konstatuar se 748 njësi shpenzuese kanë dorëzuar jashtë afatit ligjor 25,793 fatura, me vlerë të përgjithshme 64.24 miliardë lekë.
Edhe regjistrimi i kontratave ka pasur vonesa të mëdha. Gjatë vitit janë regjistruar jashtë afatit pesëditor 5,868 kontrata, me vlerë 119.55 miliardë lekë.
Janë evidentuar gjithashtu kontrata me vlerë 25.24 miliardë lekë, të lidhura pas afatit ligjor të 15 tetorit 2025, si dhe regjistrime të vonuara të urdhrave të prokurimit dhe kontratave të viteve të mëparshme.
Mangësi janë gjetur edhe në mënyrën e kryerjes së pagesave. Në 40 raste, me vlerë faturash prej 3.26 miliardë lekësh, nuk është respektuar radha kronologjike e shlyerjes. Rregulli kërkon që faturat të paguhen sipas radhës së regjistrimit, ndërsa auditimi ka evidentuar raste kur kjo radhë është ndryshuar.
Borxhi tatimor dhe doganor arrin në mbi 256 miliardë lekë
Administrimi i të ardhurave publike paraqet një tjetër problem të rëndësishëm. Në fund të vitit 2025, borxhi tatimor arriti në 194.43 miliardë lekë, duke u rritur me 31.9 miliardë lekë, ose 19.6%, krahasuar me vitin e mëparshëm.
Rreth 60% e borxhit tatimor përbëhet nga detyrime më të vjetra se pesë vjet, për të cilat mundësia e arkëtimit bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Edhe borxhi doganor është rritur ndjeshëm. Në fund të vitit ai arriti në 61.83 miliardë lekë, me shtim prej 12.71 miliardë lekësh, ose 25.9%. Rreth 77% e detyrimeve doganore janë më të vjetra se pesë vjet.
Së bashku, detyrimet e papaguara ndaj administratës tatimore dhe doganore arritën në 256.27 miliardë lekë, me një rritje prej 44.61 miliardë lekësh brenda një viti.
KLSH ka konstatuar mangësi në identifikimin dhe ndjekjen e debitorëve, vonesa në zbatimin e procedurave të mbledhjes me forcë dhe dobësi në monitorimin e detyrimeve të vjetra.
Problemet shtrihen edhe te kontrollet tatimore. Në fund të vitit 2025 rezultonin 793 kontrolle të papërfunduara, ndërsa në procedurat e rimbursimit të TVSH-së, në 280 raste ishte tejkaluar afati ligjor 60-ditor dhe në 160 raste nuk ishte respektuar radha kronologjike e trajtimit të kërkesave.
Në administratën doganore janë konstatuar mangësi në përzgjedhjen e kontrolleve mbi bazën e analizës së riskut, dokumentimin e hetimeve, vlerësimin doganor të mallrave dhe ndjekjen e detyrimeve e penaliteteve.
Mbi 20% e shpenzimeve vjetore u kryen vetëm në dhjetor
KLSH ka evidentuar një përqendrim të konsiderueshëm të pagesave buxhetore në fund të vitit, megjithëse një pjesë e shpenzimeve u përkiste faturave të lëshuara shumë muaj më parë.
Në dhjetor 2025, shpenzimet e buxhetit arritën në 162.54 miliardë lekë, duke përfaqësuar 20.3% të totalit vjetor.
Vetëm gjatë këtij muaji janë shlyer 14.96 miliardë lekë fatura për investime kapitale dhe 8.9 miliardë lekë për shpenzime operative, të lëshuara gjatë periudhës janar–nëntor. Janë paguar edhe 955 milionë lekë fatura investimesh të mbartura nga viti 2024 dhe vitet e mëparshme.
Përqendrimi i pagesave në fund të vitit është shoqëruar me luhatje të forta të treguesve fiskalë. Gjatë periudhës janar–nëntor, buxheti kishte krijuar suficit prej 49.12 miliardë lekësh, ndërsa vetëm në dhjetor regjistroi deficit prej 96.21 miliardë lekësh.
Deficiti vjetor rezultoi 47.09 miliardë lekë, brenda kufirit të planifikuar. Megjithatë, KLSH ka konstatuar pasaktësi në njohjen dhe klasifikimin e disa të ardhurave dhe shpenzimeve, të cilat kanë ndikuar në nivelin e deficitit të raportuar.
Auditimi ka evidentuar se në shpenzimet e përgjithshme është përfshirë edhe një transfertë prej 16.59 miliardë lekësh për Fondin e Pensioneve, të cilën KLSH nuk e konsideron shpenzim buxhetor. Janë konstatuar gjithashtu shpenzime operative të regjistruara si investime kapitale, si dhe mospërputhje në raportimin e detyrimeve të prapambetura. /Monitor













