Aktualitet

Europarlamentari holandez, Smit: Paraburgimi i Veliajt, për qëllime politike!

Europarlamentari holandez, Sander Smit ngriti shqetësime lidhur me përdorimin e paraburgimit në Shqipëri, ndërsa komentoi rastin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka denoncuar transferimin e tij të padokumentuar nga burgu i Durrësit në të Fierit.

I pyetur për qëndrimin e tij ndaj zgjerimit të Bashkimit Europian dhe gatishmërisë së Shqipërisë për anëtarësim, Smit e cilësoi çështjen e Veliajt, si me rëndësi të madhe për vlerësimin e shtetit të së drejtës në vend.

Sipas tij, paraburgimi përdoret shpesh në Shqipëri dhe në disa raste, “duket se shërben si mjet politik”. Smit përmendi rastin e Veliajt krahas protestave të vazhdueshme në vend, duke thënë:

Këto zhvillime tregojnë se Shqipëria ende nuk e ka vendosur plotësisht shtetin e së drejtës.

Shqipëria, Mali i Zi dhe Ukraina nuk duhet të anëtarësohen në BE, pa përmbushur të gjitha kushtet për shtetin e së drejtës, funksionimin e tregut të brendshëm dhe luftën kundër korrupsionit në institucionet qeveritare.

Smit theksoi se mbështetja ndaj tyre, nuk nënkupton të lejohen të anashkalojnë kriteret e anëtarësimit.