Pas 28 vitesh udhëtim nëpër botë, aventurieri britanik Karl Bushby është vetëm pak kilometra larg përfundimit të një misioni të jashtëzakonshëm: të përshkojë në këmbë distancën nga Kili deri në qytetin e tij të lindjes, Hull, në Angli, pa përdorur asnjë mjet transporti.
Bushby ishte vetëm 29 vjeç kur në vitin 1998 u nis nga Punta Arenas në jug të Kilit, me synimin për të mbërritur në shtëpi duke ndjekur një rrugë të pandërprerë në këmbë. Ai vendosi dy rregulla të panegociueshme: të mos kthehej në Britani përpara përfundimit të misionit dhe të mos përdorte transport për të përshkuar distancën.
Sot, në moshën 57-vjeçare, pas rreth 36 mijë miljesh të përshkuara, ai është në kilometrat e fundit të aventurës që e ka çuar në katër kontinente. Gjatë këtij udhëtimi ka kaluar xhunglën e rrezikshme të Darien Gap, ka përshkuar ngushticën e ngrirë të Beringut dhe vetëm pak javë më parë ka notuar edhe Kanalin Anglez.
Por përtej sfidave fizike, përfundimi i udhëtimit duket se përbën një sfidë tjetër për të. Pas mbërritjes në Hull, Bushby do të takohet me djalin e tij 36-vjeçar, mbesën 12-vjeçare, të cilën nuk e ka takuar kurrë, babanë dhe vëllezërit. Në shtëpinë e fëmijërisë do ta presë edhe nëna e tij, nga e cila u largua 28 vite më parë.
Në një intervistë për BBC, ai pranon se rikthimi në jetën e zakonshme mund të jetë më i vështirë nga sa e kishte imagjinuar. Për gati gjysmën e jetës së tij, identiteti ka qenë i lidhur me udhëtimin dhe misionin për të arritur në shtëpi.
“Gjithçka që jam dhe gjithçka që di për veten time do të zhduket. Do të më duhet të kuptoj përsëri se kush jam. Cili është kuptimi i gjithë kësaj? Si ta gjej një qëllim të ri dhe si ta mbush boshllëkun që do të krijohet?”, shprehet ai.
Bushby tregon se rrugëtimi nuk ka qenë vetëm aventura që mund të duket nga jashtë. Përveç mijëra kilometrave në këmbë, është përballur me probleme të përditshme, si gjetja e një vendi për të larë rrobat, shirat e vazhdueshëm dhe defektet e karrocës ku transporton sendet e nevojshme.
Ai sqaron se nga 28 vitet e fundit, vetëm rreth 15 i ka kaluar realisht duke ecur. Pjesën tjetër e kanë zënë procedurat për marrjen e vizave, pengesat gjeopolitike dhe kufizimet e udhëtimit gjatë pandemisë së Covid-19. Në periudhat mes udhëtimeve ka qëndruar shpesh në Meksikë, ku shpenzimet e jetesës janë më të ulëta.
Ish-parashutisti britanik pranon se vendimi për t’u larguar nga shtëpia erdhi pas përfundimit të martesës, ndërsa bashkëshortja u kthye në Irlandën e Veriut së bashku me djalin e tyre. Rregullat që i kishte vendosur vetes e penguan të kthehej në Britani për të takuar familjen, ndaj takimet me prindërit dhe djalin janë zhvilluar në vende të tjera.
“Familja është gjithmonë familje, por distanca dhe vitet bëjnë që të largoheni disi nga njëri-tjetri. Në një moment nuk e njihni më aq mirë njëri-tjetrin”, rrëfen ai.
Pavarësisht vështirësive, Bushby thotë se udhëtimi i ka forcuar besimin te njerëzit. Ai thekson se gjatë këtyre viteve ka njohur njerëz të jashtëzakonshëm dhe se mirësia e të panjohurve ka qenë vendimtare për përfundimin e misionit.
“Kam takuar personalisht anën më të mirë të njerëzimit. Kjo ma ka forcuar besimin te njerëzit. Nuk do të kisha mundur ta bëja pa botën”, shprehet aventurieri.
Tashmë, pas gati tri dekadash larg, Bushby po përgatitet të mbyllë një kapitull të jashtëzakonshëm të jetës së tij. Ai thotë se ende ndihet si i riu që u nis dikur nga Amerika e Jugut dhe se dëshira për aventura nuk i është shuar.
Mesazhi i tij për këdo që ëndërron të ndërmarrë një sfidë të madhe është i thjeshtë: të shfrytëzojë çdo mundësi, të ketë besim te vetja dhe të mos presë që gjërat të ndodhin vetë.
“Me pak vetëbesim mund të arrish shumë më larg nga sa e imagjinon. Nuk do të arrish asgjë nëse nuk bën asgjë”, përfundon ai.
© SYRI.net