Mijëra të rinj dolën dje në protesta në disa qytete të mëdha dhe të vogla të Gjermanisë, duke kërkuar përmirësime në sistemin arsimor, masa për të përballuar rritjen e kostos së jetesës dhe më shumë drejtësi sociale.
Gjatë ditës, demonstratat e organizuara në kuadër të nismës “Gen Z regelt” (“E rregullon Brezi Z”), u zhvilluan kryesisht në mënyrë paqësore.
Por, në disa qytete, atmosfera e protestave u prish në mbrëmje nga shpërthimi i trazirave, nga plaçkitjet dhe përplasjet me policinë, veçanërisht në Frankfurt. Autoritetet raportuan për sulme kundër forcave të rendit, dëmtime pronash e grabitje dyqanesh.

Ekstremistë të majtë, nxitësit kryesorë të dhunës në Frankfurt
Ministri i Brendshëm i landit të Hessenit raportoi se dyshohet që rreth 100 ekstremistë të majtë ishin nxitësit kryesorë të dhunës në Frankfurt.
Në rrugën tregtare “Die Zeil”, një nga më të frekuentuarat në Gjermani, persona të maskuar thyen vitrina, hynë në dyqane dhe vodhën mallra të ndryshëm. Mes objekteve të sulmuara ishte edhe një dyqan armësh, çka çoi në arrestime. Policia e mbylli zonën dhe u bëri thirrje qytetarëve të largoheshin nga qendra e qytetit.

Këln: Dhunë nga grupe që nuk kishin lidhje me protestuesit e Brezit Z
Përplasje u regjistruan edhe në Këln, ku rreth 200 persona u përfshinë në incidente pranë Katedrales së famshme të qytetit. Sipas policisë drejt efektivëve u hodhën shishe dhe biçikleta, ndërsa një person mbeti i plagosur. Pesë vetë u ndaluan nga autoritetet. Në një rrugicë pranë katedrales u thye një dritare kur gjatë trazirave u hodh një skuter elektrik.

Të tjera raste trazirash u raportuan edhe nga Hamburgu e Bremeni. Mediat në Këln njoftuan se në dhunë u përfshinë edhe grupe që nuk kishin lidhje me protestuesit e Brezit Z.
Shefi i policisë së Këlnit, Johannes Hermanns, shprehu keqardhjen që në protestat paqësore u përfshinë “ekstremistë që kishin në mendje vetëm dhunë”.
Pavarësisht incidenteve, pjesa dërrmuese e protestuesve mori pjesë në demonstrata paqësore, duke përsëritur kërkesat për reforma sociale dhe ekonomike.