Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar zhvillimet politike në Serbi dhe protestat e fundit në Tiranë, duke bërë një lidhje mes ndryshimeve në Beograd dhe situatës politike në Shqipëri.
Në deklaratën e tij, Berisha thotë se përmbysja e pushtetit në Serbi ka shkaktuar tronditje te kryeministri Edi Rama, të cilin e cilësoi si të lidhur politikisht me pushtetin e mëparshëm në Beograd.
Sipas tij, ndryshimet në Serbi sjellin ndërmend Pranverën Arabe, ndërsa shprehu shpresën që elita e re politike, e dalë nga zgjedhjet e së dielës së kaluar, të ndjekë një vizion euroatlantik dhe të ruajë marrëdhënie të mira me vendet fqinje.
“Java ishte javë ndryshimesh të mëdha. Ndryshime të cilat sjellin ndërmend Pranverën Arabe, pasi në Beograd një autokrat i lidhur me krime lufte, gjenocid, me vrasje, u përmbys në Serbi dhe një elitë e re politike erdhi në pushtet, erdhi në fuqi.
Le të urojmë që kjo elitë e dalë nga zgjedhjet e ditës së diel të kaluar t’i përmbahet një vizioni në interesin më të mirë të kombit serb, vizionit euroatlantik dhe të fqinjësisë së mirë.
Kjo përmbysje e padronit në Beograd ka sjellë tronditje të mëdha të argatit të tij në Tiranë, i cili po përjeton grahmat më të vështira të regjimit të tij narkodiktatorial, Edi Ramës.
Java u karakterizua nga dhuna më e egër që Tirana në rrugët dhe sheshet e saj ka parë ndoshta në tërë historinë.
U karakterizua nga breshëritë me plumba goma dhe saçme derrash mbi protestuesit paqësorë”,- shprehet Berisha ndër të tjera.













