Nga Boldnews.al
Arrestimi i Leli Kajës për korrupsion shënoi edhe fundin e tij në pozicionin e administratorit të kompanisë publike të menaxhimit të mbeturinave, “Eco-Elb”, në Elbasan, të cilin e mbante prej gati 4 vitesh.
Pak ditë më parë, Asambleja e Ortakëve e kompanisë, me aksioner maxhoritar Bashkinë e Elbasanit, të drejtuar nga Gledjan Llatja, vendosi emërimin e administratorit të ri, Alian Zabeli.
Sipas vendimit, drejtuesi i ri i shoqërisë që menaxhon, ndër të tjera, edhe inceneratorin fantazëm të qytetit, do të qëndrojë në detyrë për 3 vite, deri në tetor 2027.

Kreu i ri i “Eco-Elb” ka mbajtur më herët pozicione të ndryshme në Inspektoratin Ndërtimor Vendor të Elbasanit. Zabeli ka qenë vartës i Leli Kajës dhe, ashtu si ish-shefi i tij, edhe ai ka pasur një histori të ngjashme “të hidhur” me prangat.
Arrestimi për “ndërtim pa leje”
Në vitin 2021, Alian Zabeli ishte inspektor ndërtimor në Elbasan. Në dhjetor të atij viti, Policia e qytetit identifikoi një ndërtim masiv pa leje, në fshatin Tregan, pranë llixhave të qytetit.
Sipas të dhënave zyrtare të asaj kohe, Policia kishte marrë informacion për ndërtim pa leje dhe ka konstatuar se pranë hotelit “Puka” ndodhej një ndërtim të formë U-je, me 5 kate, me muraturë të mbaruar me tulla, e pasuvatuar.

Në bazë të referimit policor, rezultonte se secili kat i objektit ishte 1 mijë metra katrorë dhe sipërfaqja totale ishte 5 mijë metra katrorë, e vendosur në krahur verior të hotelit.
Pas këtij konstatimi, oficerët e Policisë Gjyqësore kanë njoftuar inspektorët ndërtimorë të zonës, Alian Zabeli dhe Denis Ziu. Dy inspektorët mbërritën në vendin e ngjarjes dhe mbajtën proces-verbal për kundërvajtje administrative.
Në proces-verbal u përshkrua se objekti 5-katësh është ndërtuar në truallin e pronarit, i pajisur me leje zhvillimore, por e pa përfunduar marrja e lejes së ndërtimit. Pra, inspektorët konstatuan se objekti, që ishte në fazën e përfundimit të punimeve, ishte pa leje.

Pas përfunduan aktin e kontrollit, dy inspektorët u arrestuan menjëherë në flagrancë nga oficerët e Policisë Gjyqësore, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Leli Kaja dhe ndërtimi pa leje
Në kuadër të hetimeve, grupi hetimor ka marrë të dhëna se, ndërtimi pa leje pranë hotel “Puka” në Tregan kishte nisur në vitin 2019, kur kryeinspektor ndërtimor ishte Leli Kaja, i cili më pas u emërua administrator i “Eco-Elb” dhe tashmë i arrestuar për korrupsion nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Një ndër punonjësit e Insektoratit Ndërtimor ka deklaruar para oficerëve të Policisë Gjyqësore se “nuk kam dijeni në lidhje me lejen zhvillimore të këtij subjekti, por kam gjetur në sistem që, për këtë ndërtim, është marrë një mase administrative në vitin 2019. Nuk kam dijeni nëse është ekzekutuar kjo gjobë ose jo”.
Ai ka shtuar më tej se “leja zhvillimore nuk lejon në asnjë mënyre kryerje punimesh dhe se, nga viti 2019, kanë qenë me detyrë Kryeinspektor shtetasit Leli Kaja dhe pas tij, deri në Qershor 2021, shtetasi Mario Qosja”.

Pra, ajo që u zbulua gjatë seancave të pyetjeve nga oficerët e Policisë Gjyqësore tregoi se punimet pa leje për hotelin 5-katësh kishin nisur në vitin 2019, kur kryeinspektori ishte Leli Kaja. Por, siç rezultoi, askush nuk kishte marrë masat dhe punimet ishte në fazën e përfundimit, në vitin 2021.
Lirimi pas 48 orësh
Pas arrestimit, inspektorët ndërtimore, Alian Zabeli, Denis Ziu, si edhe disa persona të tjerë, u paraqitën para gjykatës.
Prokuroria e Elbasanit kërkoi vlerësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin ndaj tyre të masës së sigurimit “detyrim për paraqitje”.
Çështjen e shqyrtoi gjyqtarja e asaj kohe, Pajtime Fetahu, e cila disa kohë më vonë u arrestua edhe vetë, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, për bashkëpunim me një grup kriminal në Elbasan.
Në seancën e datës 5 dhjetor 2021, gjyqtarja Fetahu konstatoi se arresti në flagrancë, i kryer nga Policia Gjyqësore, ishte i paligjshëm. Në vlerësimin e saj, nuk ekzistonin rrethanat e flagrancës, pasi vepra e dyshuar penale ishte kryer kohë më parë.
Megjithatë, ajo konstatoi se ekzistonin elementë të mjaftueshëm për konsumimin e veprave penale të “Ndërtimit të paligjshëm” nga ana e ndërtuesit dhe të “Shpërdorimit të detyrës” nga ana e inspektorëve ndërtimore.
Për këtë arsye, ajo caktoi masën e sigurimit “detyrim për paraqitje” për të gjithë personat e paraqitur në gjykatë, përfshirë edhe inspektorin ndërtimor të asaj kohe, Alian Zabeli, aktualisht drejtues i sapo-emëruar në kompaninë “Eco-Elb”.
LEXO EDHE
E rrallë/ Merr leje për mur rrethues, elbasanlliu ngre vilën dhe e mbulon me çarçafë













