
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas publikimit të të dhënave nga dosja hetimore e SPAK për vilën e Belinda Ballukut në Dhërmi, ku mes materialeve të bëra publike ishte edhe një fotografi e një kutie të kuqe të mbushur me kartëmonedha 50-euroshe.
Bardhi e konsideroi të papranueshme që shumat milionëshe, të cilat dyshohen se burojnë nga korrupsioni, të mos shoqërohen me përgjegjësi para drejtësisë. Sipas tij, pavarësisht hetimeve, ish-zëvendëskryeministrja vijon të ushtrojë ndikim në vendimmarrjen publike.
Një tjetër pikë e reagimit të Bardhit lidhet me qëndrimin e SPAK ndaj kërkesës për arrestimin e Ballukut. Ai ngriti pikëpyetje për faktin se, megjithëse akuzat ndaj saj janë zgjeruar, organi i akuzës nuk ka ndjekur të njëjtën qasje si në fazën e mëparshme të hetimit.
Sipas Bardhit, ndaj ish-zëvendëskryeministres rëndojnë akuza për 15 episode penale, që lidhen me pesë vepra penale, mes tyre korrupsioni dhe pastrimi i parave.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së kërkoi që Balluku të mbajë përgjegjësi për episodet që ai i cilësoi si korrupsion madhor.
“E papranueshme!
Është e paimagjinueshme që miliona euro të përfituara nga korrupsioni, të fshehura në kuti dhe skema të ndryshme, të mos çojnë në përgjegjësi para drejtësisë, ndërsa Belinda Balluku që përballet me akuza të rënda vazhdon të ushtrojë ndikim mbi vendimmarrjen publike, që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
Është një situatë që ngre pikëpyetje serioze për barazinë para ligjit dhe standardet e drejtësisë shqiptare. Si mund të shpjegohet që një zyrtare e lartë publike, ndaj së cilës janë ngritur akuza për 15 episode penale, të lidhura me pesë vepra penale, përfshirë korrupsionin dhe pastrimin e parave, të gjykohet në gjendje të lirë, pavarësisht rrezikut që mund të paraqitet për intimidimin e dëshmitarëve apo cenimin e provave?
Belinda Balluku është ndër zyrtarët më të lartë publikë ndaj të cilëve SPAK ka ngritur akuza të kësaj natyre dhe rëndësie. Megjithatë, çështja që kërkon një shpjegim publik është fakti se, pas zgjerimit të akuzave dhe rëndimit të pozitës së saj penale, nuk është ndjekur e njëjta qasje lidhur me kërkesën për arrestim.
Kujtojmë se në një fazë të mëparshme të hetimit, kur ndaj saj rëndonin vetëm një pjesë e akuzave që janë sot në dosjen penale, SPAK iu drejtua Kuvendit me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe dhënien e autorizimit për arrestim. Edi Rama e kundërshtoi këtë kërkesë në Kuvend, duke argumentuar se në atë kohë nuk kishte ende një akuzë për korrupsion.
Sot, kur akuzat janë shtuar dhe përfshijnë edhe korrupsionin e pastrimin e parave, publiku ka të drejtë të pyesë: Pse standardi i ndjekur nga SPAK ka ndryshuar? Cilat janë arsyet konkrete që justifikojnë këtë ndryshim? Dhe mbi të gjitha, a po zbatohet i njëjti standard ligjor për të gjithë, pa dallim pushteti apo funksioni?
Drejtësia nuk mund të jetë selektive. Nuk mund të ketë një standard për kundërshtarët politik të Edi Ramës dhe një tjetër për zyrtarët e pushtetshëm bashkëpunëtor të ngushtë të tij. Nuk mund të kërkohet besim te drejtësia, nëse vendimet e saj nuk shoqërohen me transparencë dhe shpjegime bindëse.
Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Asnjë pushtet nuk duhet të jetë mburojë ndaj drejtësisë. Dhe asnjë qytetar nuk duhet të ketë arsye të besojë se në Shqipëri drejtësia funksionon ndryshe për ata që kanë pushtetin.”
Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me një fotografi të gjetur nga SPAK në celularin e bashkëshortit të një sanitareje që punonte për Belinda Ballukun.
Në fotografi, sipas të dhënave të publikuara, shfaqet një tufë me kartëmonedha brenda një vile në jug të vendit.
Balliu pretendon se Balluku dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë socialiste kanë përfituar shuma të mëdha parash, të cilat, sipas tij, po fshihen në ambiente të ndryshme, nga zyrat te vilat, madje edhe duke u groposur.
Deputeti demokrat ngriti gjithashtu një pikëpyetje për kontrollet e zhvilluara nga SPAK në vilën e Ballukut në Dhërmi. Ai kërkoi të dijë përse paratë që shfaqen në fotografi nuk u gjetën gjatë kontrolleve të kryera nga hetuesit.
Deklaratat e Balliut janë pjesë e reagimeve të opozitës pas publikimit të detajeve të dosjes hetimore që lidhet me vilën e ish-zëvendëskryeministres.
Statusi i Balliut
“Pasuria e çmendur e Lubisë nuk ka limit! Dalin kutitë e mbushura me euro të Lubisë.
Sot, në kulmin e hetimeve, dalin në pah kuti të mbushura me mijëra euro, por ato, në fakt, duket se për Lubinë janë thjesht para për shpenzime ditore. Lubia ka vjedhur aq shumë, sa sot duket se ka të njëjtin problem që kishte dikur Pablo Escobar: nuk di ku t’i fusë paratë! I fshehin nëpër apartamente që blihen vetëm për këtë qëllim, nëpër zyra e, me gjasë, një pjesë edhe i groposin. I fusin nëpër kuti dhe i vendosin kudo ku munden, sepse kanë aq shumë para, sa nuk dinë më ku t’i çojnë. Por si ka mundësi që SPAK-u i Partisë nuk i paska gjetur këto para nëpër kuti, kur pretendohet se janë kryer kontrolle?”