Vendosni fjalën kyçe....

Shërbimi i hemodializës kalon në administrimin e shtetit, nga 2 nëntori nis funksionimi i plotë


Pas përfundimit të kontratës koncesionare, shërbimi i hemodializës ka kaluar në administrimin e Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësore (OSHISH). Ministria e Shëndetësisë njofton se funksionimi i plotë nën administrimin e ri do të nisë më 2 nëntor.

Në një njoftim publik, ministria thekson se prioritet mbetet garantimi i vijimësisë së shërbimit, sigurisë dhe cilësisë së trajtimit për pacientët, duke shmangur çdo ndërprerje.

“Nga 1 nëntori, shërbimi i hemodializës ka kaluar në administrimin e Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësore (OSHISH), pas përfundimit të kontratës koncesionare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas ministrisë, ekipet përgjegjëse janë angazhuar në përgatitjet përfundimtare për kalimin e plotë të shërbimit në administrimin shtetëror. Në qendër të këtyre përgatitjeve, sipas saj, janë siguria dhe kujdesi ndaj pacientëve që kanë nevojë për trajtim të vazhdueshëm.

“Prioriteti ynë mbetet garantimi i vijimësisë, sigurisë dhe cilësisë së këtij shërbimi jetik, pa ndërprerje për pacientët. Ekipet janë angazhuar në përgatitjet përfundimtare për funksionimin e plotë të shërbimit nga 2 nëntori, duke vendosur në qendër të çdo mase sigurinë dhe kujdesin ndaj pacientëve”, bën me dije ministria.