Shqipëria po hedh hapat e parë drejt ngritjes së një industrie ushtarake me kapacitete të veta prodhuese, përmes investimeve në infrastrukturë, bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe transferimit të teknologjisë. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, gjatë një interviste në emisionin “Hard Talk” në platformën Media Radar bëri një pasqyrim të zhvillimeve në këtë sektor, duke theksuar rëndësinë strategjike të krijimit të një baze industriale kombëtare në funksion të mbrojtjes.
Ministri Nufi bëri të ditur se përmes shoqërisë shtetërore KAYO janë krijuar gjashtë bashkëpunime tregtare, ndërsa në Shqipëri ka nisur montimi i mjeteve të fortifikuara.
Paralelisht, po punohet për zhvillimin e projektit “Shota” dhe ngritjen e linjave të prodhimit të fishekëve.
“Ne që me hyrjen në fuqi të ligjit 87 dhe 88, pra janë dy ligje, njëri për industrinë ushtarake, tjetri për shoqërinë KAYO, në 2024-ën kemi marrë hapat e parë për të krijuar shtratin jo vetëm ligjor, por edhe shtratin faktik industrial infrastrukturor për prodhimin në Republikën e Shqipërisë. Kemi gjashtë bashkëpunime tregtare përmes shoqërisë KAYO”, deklaroi ministri Nufi.
Ai zhvillimi i kapaciteteve prodhuese është një proces që kërkon teknologji, patenta dhe bashkëpunim me kompani të specializuara.
“Sot ne nuk prodhojmë aktualisht fishekë; kemi porositur linjat e 2025-s të prodhimit të fishekëve”, u shpreh ministri. Sipas ministrit Nufi, një nga parimet kryesore të kësaj industrie është respektimi i standardeve të NATO-s dhe sigurimi i ndërveprueshmërisë me sistemet e vendeve aleate.
“Por themeli është të prodhosh armë që janë të ndërveprueshme, pra përputhen në bashkëpunim me NATO-n. Pa këtë nuk ka kuptim asnjë prodhim”, nënvizoi ai.
Sipas ministrit, krijimi i një industrie ushtarake kombëtare do t’i japë Shqipërisë më shumë mundësi për të mirëmbajtur pajisjet, për të zhvilluar kapacitetet e veta dhe për të reduktuar varësinë nga furnizimet e huaja.
“Sot në NATO, për të zëvendësuar materialet e dërguara në Ukrainë, për shkak të procedurave na duhen 18 deri në 20 muaj, ndërsa bllokut lindor i duhen 3–4 muaj. Nëse neve na prishet një mjet, me impiantin tonë e riparon në kohë reale dhe nuk pret tetë muaj procedura apo bllokime në doganë”, sqaroi ministri Nufi.


