Gjashtë vite pas vdekjes së Saimir Sulës në një spital në Barcelonë, familja e tij vijon të kërkojë zbardhjen e plotë të ngjarjes. Rasti mbetet i mbështjellë me pikëpyetje, pasi trupi i të riut u kthye në Shqipëri pa zemrën, ndërsa organi u gjet vetëm pas disa vitesh. Motra e tij, Majlinda Sula, ngre akuza të forta dhe kërkon që autoritetet spanjolle të hetojnë sërish çështjen.
Saimiri mbërriti në Barcelonë në fillim të vitit 2020, ku u vendos pranë së motrës. Fillimisht nisi të shiste suvenire dhe më pas aplikoi për leje qëndrimi në Spanjë. Në maj të po atij viti, gjatë pandemisë, ai u shtrua në spital. Pak kohë më vonë, më 9 maj, në ditëlindjen e Majlindës, kjo e fundit mori një telefonatë shqetësuese nga i vëllai.
“Eja shpejt, ata po më vrasin”, i kishte thënë Saimiri.
Kur mbërriti në spital, motra e gjeti të vdekur. Sipas dokumentacionit të përmendur në investigim, ai fillimisht kishte rezultuar negativ për COVID-19, ndërsa më herët kishte shprehur dëshirën të largohej nga spitali, në një situatë të tensionuar, ku ishte mbajtur nga rojet.
Trupi i tij u transportua në Shqipëri, por ekzaminimet zbuluan se zemra mungonte. Autopsia nuk evidentoi shenja të qarta të heqjes së një organi, ndërsa familja nisi një përpjekje të gjatë për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur.
Hetimi në Barcelonë u mbyll pa konstatuar shkelje, ndërsa në Shqipëri Prokuroria e Tiranës vijon të ketë të hapur një çështje për dyshime mbi trafikimin e organeve. Sipas të dhënave të raportuara, prokuroria shqiptare ende nuk ka marrë 14 prova të kërkuara, mes tyre pamjet filmike nga spitali, dëshmitë e mjekëve dhe personave të tjerë, si dhe dokumentacionin e autopsisë fillestare.
Pas këmbënguljes së familjarëve, në korrik të vitit 2023, Shqipërisë iu kthye një zemër, e cila në dokumentacion rezultonte me datë vdekjeje 22 prill 2020. Megjithatë, identifikimi i saj përmes ADN-së nuk u bë i mundur në atë fazë, për shkak të vështirësive teknike që, sipas familjes, lidhen me mënyrën e trajtimit dhe ruajtjes së organit.
Avokati i familjes, Carlos Sardinero, pretendon se zemra ishte ndarë nga trupi pa u njoftuar ekspertët shqiptarë dhe se familjarëve iu deshën muaj për ta gjetur.
“Tek Instituti i Toksikologjisë ata e dinë që ne duam ADN dhe ata e kthyen zemrën në gjendjen që e sollën”, deklaroi ai.
Sardinero shtoi se gjykata në Barcelonë nuk u kishte lejuar familjarëve të siguronin pamjet filmike nga spitali, të cilat mund të ndihmonin në sqarimin e rrethanave.
Ekzaminime të ndryshme janë kryer në Barcelonë, Tiranë dhe Bruksel. Sipas avokatit, raporti i parë përmendte një gjendje agjitimi dhe një çarje të arteries, e cila, sipas tij, nuk rezultonte në analizat e kryera në Belgjikë.
Nga ana tjetër, burime pranë çështjes kanë ngritur edhe mundësinë e gabimeve administrative, duke mos përjashtuar që organi të ketë humbur gjatë kaosit të krijuar nga pandemia.
Spitali del Mar në Barcelonë, ku ishte shtruar Saimir Sula, nuk kryen transplante organesh, ndërhyrje që kërkojnë ambiente dhe struktura të specializuara. Në përgjigjen e tij për investigimin, institucioni shprehu ngushëllimet për familjen dhe deklaroi se kishte bashkëpunuar me hetimin policor dhe procesin gjyqësor, të cilat janë mbyllur në të gjitha shkallët. Spitali theksoi gjithashtu se nuk kishte marrë deri tani asnjë kërkesë nga sistemi gjyqësor shqiptar.
Ministria spanjolle e Drejtësisë, nga ana e saj, deklaroi se të gjitha kërkesat e mbërritura nga Shqipëria për këtë çështje ishin vënë në dispozicion. Ndërsa Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë nuk dha hollësi mbi hetimin, duke njoftuar se drejtuesi i institucionit kishte vendosur të mos zhvillonte një intervistë për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
Edhe avokati Eduard Halimi, ish-ministër i Drejtësisë dhe tashmë përfaqësues ligjor i familjes, ka ngritur pikëpyetje për zvarritjen e verifikimeve.
“Kam shërbyer si Ministër drejtësie për 8 vite dhe kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Spanjën”, u shpreh Halimi.
Ndërkohë, Majlinda Sula kërkon ndërhyrjen e autoriteteve më të larta spanjolle, përfshirë ministrin e Drejtësisë, Félix Bolaños, dhe kryeministrin Pedro Sánchez, duke u bërë thirrje të kërkojnë llogari nga mjekët që kanë pasur dijeni për rastin.
“Sa e vështirë është të bësh testin e ADN-së, në 6 vjet?”, pyet ajo.
“Ata po fshehin diçka. Saimiri u varros pa zemrën, dhe zemra që e kanë në frigorifer ka përfunduar në 22 prill, ndërkohë që Saimiri vdiq në 9 maj. Vetëm ADN-ja mund ta verifikojë nëse është zemra e tij apo jo. Faktet flasin. Është e tmerrshme që familja vazhdon të jetojë në këtë torturë”, deklaron motra e të riut.
Familja kërkon që çështja të rihapet në Spanjë dhe të kryhet analiza e ADN-së, për të përcaktuar nëse organi i kthyer në vitin 2023 i përket vërtet Saimir Sulës. Deri atëherë, rrethanat e zhdukjes së zemrës dhe përgjegjësitë për këtë ngjarje mbeten pa një përgjigje përfundimtare.


