Mbi 120 mijë të rinj kanë marrë pjesë në protestat e zhvilluara në më shumë se 30 qytete të Gjermanisë, nën sloganin “Gen Z regelt” (Gjenerata Z i merr gjërat në dorë). Ajo që nisi si një mobilizim paqësor për më shumë investime në arsim, drejtësi sociale dhe luftë kundër racizmit, u shoqërua më vonë me përplasje me policinë, akte vandalizmi dhe arrestime.
Protestuesit kundërshtuan gjithashtu politikat shtrënguese dhe kërkuan që shqetësimet e brezit të ri të merren më seriozisht. Megjithatë, gjatë mbrëmjes situata doli jashtë kontrollit në disa qytete, veçanërisht në Frankfurt dhe Këln.
Frankfurt, mbi 50 persona të arrestuar pas trazirave
Incidentet më të rënda u regjistruan në Frankfurt, ku, sipas vlerësimeve paraprake të autoriteteve, më shumë se 1,000 persona u përfshinë në trazira. Grupe personash të maskuar sulmuan efektivët e policisë, thyen vitrina dyqanesh dhe kryen akte vandalizmi e plaçkitjeje në qendër të qytetit.
Në shënjestër të sulmeve ishte edhe një dyqan armësh, nga ku u vodhën disa sende. Përballë situatës, policia ndërhyri me forca të shumta, përfshirë njësi speciale dhe automjete të pajisura me topa uji. Si rezultat i operacionit, u arrestuan më shumë se 50 persona.
Përplasje dhe incidente të tjera u raportuan edhe në Këln e Berlin, ku u hodhën shishe dhe fishekzjarrë në drejtim të policisë, ndërsa pati arrestime të tjera. Autoritetet dyshojnë se në aktet e dhunës u përfshinë grupe ekstremiste që mund të jenë infiltruar në protestat fillimisht paqësore.
Mobilizimi u organizua përmes rrjeteve sociale
Lëvizja “Gen Z regelt” u koordinua kryesisht përmes platformave TikTok, Instagram dhe Telegram. Struktura e organizimit mbetet e paqartë, ndërsa raportimet flasin për një grup të vogël personash anonimë që kanë ndihmuar në koordinimin e protestave.
Organizatorët kanë distancuar lëvizjen nga aktet e dhunës, duke theksuar se ato nuk ishin pjesë e qëllimeve të protestës dhe duke dënuar incidentet e regjistruara në disa prej qyteteve gjermane.
Reagime nga qeveria dhe partitë politike
Përplasjet kanë nxitur reagime në politikën gjermane. Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, dënoi dhunën dhe vlerësoi ndërhyrjen e policisë. Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit, Karin Prien, pranoi se shqetësimet dhe kërkesat e të rinjve duhet të dëgjohen.
Socialdemokratët dhe të Gjelbrit kërkuan që problematikat e ngritura nga protestuesit të trajtohen seriozisht, ndërsa dënuan njëkohësisht aktet e dhunshme. Edhe kryeministri i landit të Hessenit, Boris Rhein, paralajmëroi se përgjegjësit për trazirat do të përballen me pasoja.
Protestat pritet të vijojnë në nëntor
Pavarësisht përplasjeve, mobilizimi i të rinjve nuk pritet të ndalet. Nga 2 deri më 6 nëntor janë planifikuar aksione të tjera në shkolla dhe universitete, ndërsa më 20 nëntor të rinjtë pritet t’i bashkohen një mobilizimi ndërkombëtar në kuadër të grevës studentore.
Kërkesat e lëvizjes vijojnë të përqendrohen te rritja e investimeve në arsim, drejtësia sociale dhe lufta kundër racizmit e diskriminimit.


