Mbi 60% e grurit të importuar në Shqipëri për konsum njerëzor vjen nga Serbia, e cila renditet e para për sasinë e drithërave që furnizojnë tregun vendas. Por shqetësimi i ekspertit të drithërave, Abdyl Sinani, nuk lidhet me origjinën e produktit, por me cilësinë e grurit që përzgjidhet nga fabrikat shqiptare dhe mënyrën se si përpunohet mielli që përfundon në tryezat e konsumatorëve.
Me një përvojë 40-vjeçare në këtë sektor, Sinani denoncon përdorimin e miellit me përmbajtje të ulët gluteni dhe proteinash, i cili blihet me çmim më të lirë dhe, sipas tij, është i destinuar kryesisht për prodhimin e ëmbëlsirave dhe biskotave. Megjithatë, ai pretendon se ky produkt përdoret edhe për prodhimin e bukës, duke iu shtuar aditivë për të përmirësuar fryrjen dhe pamjen e saj.
“Këtu ka një mashtrim apo falsifikim. Ne pranojmë miellin për ëmbëlsira me gluten të ulët dhe e përdorim për bukë, e më pas i hedhim aditivë që të bëhet i fryrë. Gjithmonë në tregun botëror ky grurë ka çmim më të ulët dhe prandaj e përdorin edhe për bukë”, deklaron Sinani.
Një tjetër problem që ngre eksperti lidhet me bukën e zezë. Sipas tij, në disa raste, ngjyra e errët nuk vjen nga përdorimi i miellit natyral me krunde, por nga shtimi i ngjyruesve në miellin e bardhë.
“Ngjyrues përdorin te buka e zezë. E marrin këtë ngjyrues dhe te mielli i bardhë, që është rreze 70, i hedhin ngjyrues që e bën të errët”, shprehet ai.
Sinani paralajmëron gjithashtu për rreziqet që mund të vijnë nga ruajtja e papërshtatshme e grurit dhe miellit. Sipas tij, në kushte të tilla mund të krijohen mykotoksina, substanca që mund të përbëjnë rrezik për shëndetin. Ai veçon produktet që vijnë nga Serbia dhe kërkon që ato t’u nënshtrohen analizave të hollësishme.
“Ka pasur shumë probleme për miellin që vjen nga Serbia, sepse nga ruajtja e keqe tek ai formohen mykotoksina që janë kancerogjene dhe kjo duhet parë dhe analizuar”, deklaron eksperti.
Një tjetër shqetësim lidhet me përpunimin jo të duhur të miellit, që, sipas Sinanit, mund të shkaktojë sëmundjen e njohur si “sëmundja e patates” në bukë. Ai përmend raste të evidentuara në Lushnjë dhe Berat, duke theksuar se buka e prekur duhet të hidhet, ndërsa kritikon praktikat e përdorura për të korrigjuar problemin.
“Ka mundësi që mielli që nuk përpunohet tamam, atëherë të krijojë një sëmundje, atë të patates, dhe kjo ka ndodhur në Lushnjë, në Berat. Kjo bukë duhet hedhur, ose e rregullojnë duke i hedhur aciditet”, thotë ai.
Përballë këtyre pretendimeve, eksperti kërkon kontrolle më të rrepta dhe analiza laboratorike për çdo ngarkesë gruri dhe mielli që hyn në Shqipëri. Ai ngre pikëpyetje edhe mbi efektivitetin e kontrolleve të institucioneve përgjegjëse për sigurinë ushqimore, duke kërkuar më shumë vëmendje ndaj produkteve që konsumohen çdo ditë nga qytetarët.


