Një aksident i trefishtë është regjistruar mbrëmjen e së dielës në autostradën Rrogozhinë-Lushnjë, pranë rrethrrotullimit të Grabjanit, në drejtim të Lushnjës. Si pasojë e përplasjes së tre automjeteve, një person ka mbetur i plagosur dhe është dërguar në spital.
I dëmtuari është transportuar në spitalin e Lushnjës, ku po merr ndihmën mjekësore. Sipas informacioneve paraprake, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Dyshohet se aksidenti nisi pasi drejtuesi i një automjeti humbi kontrollin dhe makina u përmbys në rrugë. Për të shmangur përplasjen me të, drejtuesi i një automjeti tip “Benz” frenoi menjëherë, por manovra nuk arriti të parandalonte përplasjen mes tre mjeteve.
Në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po punojnë për menaxhimin e trafikut, ndërsa ekspertët po dokumentojnë rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
Ndërkohë, zjarrfikësit e Lushnjës po kryejnë pastrimin e autostradës nga mbetjet e automjeteve të përfshira në përplasje.


