Një aksident me përfshirjen e tre automjeteve është regjistruar mbrëmjen e së dielës në autostradën Rrogozhinë-Lushnjë, pranë rrethrrotullimit të Grabjanit, në drejtim të Lushnjës.
Si pasojë e përplasjes, njëri prej drejtuesve të automjeteve ka mbetur i plagosur dhe është transportuar në spitalin e Lushnjës për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas informacioneve paraprake, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Dyshohet se aksidenti nisi pasi një automjet u përmbys, pasi drejtuesi humbi kontrollin mbi të. Një automjet tip “Benz” frenoi për të shmangur përplasjen, por më pas tre mjetet u përplasën njëri pas tjetrit.
Në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po punojnë për menaxhimin e trafikut të rënduar dhe dokumentimin e rrethanave të aksidentit. Ndërkohë, zjarrfikësit e Lushnjës po kryejnë pastrimin e autostradës nga mbetjet e automjeteve të përfshira në përplasje.
