Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Izrael, gjyqtari i Gjykatës së Lartë Noam Sohlberg, deklaroi se zgjedhjet parlamentare të javës së kaluar janë zhvilluar në përputhje me ligjin dhe se rezultatet pasqyrojnë vullnetin e votuesve.
Deklarata vjen në një kohë kur autoritetet po hetojnë dyshimet për financim nga burime të huaja, me synimin për të ndikuar në procesin zgjedhor.
Në një konferencë për mediat, ku ishte i pranishëm edhe drejtori i Shin Bet, David Zini, si dhe Prokurorja e Përgjithshme Gali Baharav-Miara, Sohlberg tha se pretendimet janë serioze dhe do të hetohen deri në fund, përcjell Ynet.
Megjithatë, ai hodhi poshtë pretendimet se informacionet e disponueshme deri tani mund të vënë në pikëpyetje rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve.
“Mund t’ju them me përgjegjësi të plotë se zgjedhjet për Knessetin e 26-të u zhvilluan në mënyrë të rregullt. Çdo parregullsi po shqyrtohet aktualisht. Rezultatet pasqyrojnë vullnetin e votuesve”, deklaroi Sohlberg.
Ai theksoi se dyshimet për financim të huaj mund të kenë implikime për sigurinë kombëtare, por nënvizoi se ekziston një dallim mes dyshimeve që kërkojnë hetim dhe provave konkrete që mund të justifikojnë kundërshtimin e rezultateve zgjedhore.
“Dyshimet e paraqitura janë serioze. Do t’i hetojmë ato plotësisht dhe do të shkojmë deri në fund të së vërtetës. Në të njëjtën kohë, pretendimi se provat që kemi aktualisht mund të vënë në pikëpyetje rezultatet e zgjedhjeve në tërësi është i pasaktë”, u shpreh ai.
Sohlberg njoftoi se do të ngrihet një ekip i përbashkët hetimor, ku do të përfshihen Shin Bet, Policia e Izraelit dhe Prokuroria e Shtetit. Hetimi do të vijojë paralelisht me procedurat zgjedhore, të cilat nuk do të pezullohen.
Kreu i Komisionit Zgjedhor konfirmoi se rezultatet zyrtare do të publikohen të mërkurën dhe do t’i dorëzohen presidentit Isaac Herzog. Ai garantoi se votat e qytetarëve do të respektohen dhe se procesi do të përmbyllet sipas afateve të përcaktuara.
Gjatë deklaratës, Sohlberg u ndal edhe te reagimet që kanë përfshirë komunitetin arab në Izrael, duke theksuar se dyshimet për ndërhyrje të huaj nuk duhet të hedhin hije mbi votën e këtij komuniteti.
“Asgjë nga ato që kam thënë nuk duhet të krijojë dyshime mbi votimin e shoqërisë arabe. Qytetarët që dolën për të votuar ushtruan të drejtën e tyre demokratike. Pjesëmarrja e gjerë në zgjedhje është diçka që duhet mirëpritur në shoqërinë arabe dhe në çdo komunitet në Izrael”, deklaroi ai.
