Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po përgatitet për mundësinë e humbjes së kontrollit republikan në Kongres në zgjedhjet e mesmandatit, duke hartuar një plan për të vijuar zbatimin e agjendës së saj përmes kompetencave ekzekutive të presidentit, pa pasur nevojë për miratimin e ligjvënësve.
Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë dhe dy personave të njohur me planet, prej muajit prill zyrtarë të lartë të administratës, mes tyre zëvendës shefi i stafit Stephen Miller dhe drejtori i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, Russell Vought, po punojnë për të identifikuar masat që Trump mund të ndërmarrë në mënyrë të njëanshme në fushat e emigracionit, tarifave tregtare, kostove të strehimit dhe shpenzimeve federale.
Këshilltari ligjor i Shtëpisë së Bardhë, Will Scharf, dhe ekipi i tij po shqyrtojnë se cilat kompetenca mund të ushtrojë presidenti pa miratimin e Kongresit, deri ku mund të shtrihen këto kompetenca dhe si mund të mbrohen vendimet e tij në gjykatë.
Ndër masat që po shqyrtohen janë vendosja e tarifave të reja për importet e mineraleve kritike dhe turbinave me erë, kufizime më të forta për vizat e studentëve ndërkombëtarë dhe punëtorëve të huaj të përkohshëm, si dhe politika për uljen e kostove të ndërtimit dhe strehimit.
Një tjetër objektiv është përdorimi i fondeve që Kongresi ka miratuar tashmë, për të financuar prioritetet e administratës.
Sipas burimeve të Reuters, Vought po shqyrton gjithashtu ndryshimin e rregullave për grantet federale, në mënyrë që të emëruarit politikë të kenë më shumë ndikim në përcaktimin e programeve që përfitojnë para nga taksat e qytetarëve.
Vetë Trump ka lënë të kuptohet se, në rast se demokratët marrin kontrollin e Kongresit, do të përdorë të drejtën e vetos për të bllokuar nismat e tyre.
Në një intervistë për podcast-in “Pod Force One” të “New York Post”, ai tha se mund të bëhet “zoti Veto” për një ose dy muaj, përpara se të arrihen marrëveshje me demokratët.
Demokratëve u nevojitet të fitojnë të paktën katër vende në Dhomën e Përfaqësuesve dhe të marrin kontrollin e Senatit për të përmbysur shumicat e ngushta republikane.
Sondazhet e cituara nga Reuters favorizojnë demokratët në garën për Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa gara për Senatin mbetet e ngushtë.
Kongresi mund të kufizojë emërimet dhe nismat e Trump
Një fitore demokrate do t’u jepte atyre mundësinë të bllokonin projektligjet e presidentit, të kufizonin disa prioritete të shpenzimeve dhe të pengonin emërimet në administratën federale dhe në gjyqësor, përfshirë edhe kandidaturat për Gjykatën e Lartë.
Kontrolli i Senatit do t’u mundësonte demokratëve të refuzonin kandidaturat e Trump për poste të rëndësishme, ndërsa gjykatat mund të bllokonin vendimet ekzekutive që tejkalojnë kompetencat ligjore të presidentit.
Trump, nga ana tjetër, do të kishte mundësi të përdorte veton kundër ligjeve të miratuara nga demokratët. Për ta rrëzuar një veto presidenciale nevojitet shumica prej dy të tretash në të dyja dhomat e Kongresit.
Sipas analistëve të cituar nga Reuters, presidenti ka përdorur gjerësisht kompetencat ekzekutive që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, duke vendosur tarifa tregtare, ashpërsuar politikat e emigracionit dhe reduktuar numrin e punonjësve federalë.
Shtëpia e Bardhë përgatitet për hetimet demokrate
Një tjetër shqetësim për administratën Trump është mundësia që demokratët të nisin hetime parlamentare ndaj presidentit dhe zyrtarëve të tij, nëse marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.
Sipas Reuters, demokratët kanë diskutuar përdorimin e seancave dëgjimore, thirrjeve zyrtare dhe kërkesave për dokumente për të shqyrtuar nëse Trump ka përdorur kompetencat presidenciale për të favorizuar veten, aleatët apo donatorët e tij.
Për këtë arsye, avokatët e Shtëpisë së Bardhë kanë nisur përgatitjen e zyrtarëve politikë dhe drejtuesve të agjencive federale për mënyrën se si duhet t’u përgjigjen kërkesave të Kongresit, thirrjeve për dëshmi dhe kërkesave për dokumentacion.
Sipas një prej burimeve, zyrtarëve u është këshilluar të tregojnë kujdes me komunikimet që lënë me shkrim.
Administrata po shqyrton gjithashtu mundësinë e përdorimit të privilegjit ekzekutiv për të mbrojtur nga shqyrtimi parlamentar komunikimet e presidentit me këshilltarët e tij privatë.
Megjithatë, hetimet e Kongresit mbeten një sfidë që presidenti nuk mund ta shmangë thjesht përmes urdhrave ekzekutivë. Skenari i një Kongresi të kontrolluar nga demokratët mund të sjellë përplasje të reja institucionale mes Shtëpisë së Bardhë dhe ligjvënësve amerikanë.
