Të paktën 325 persona janë arrestuar në Londër dhe Edinburg gjatë protestave në mbështetje të organizatës “Palestine Action”, e shpallur e jashtëligjshme nga qeveria britanike në bazë të legjislacionit kundër terrorizmit.
Protestuesit u mblodhën pranë ambasadës amerikane në Londër, duke kundërshtuar luftën në Gaza dhe ndalimin e organizatës. Në duart e tyre mbanin pankarta me mesazhe si “Ne kundërshtojmë gjenocidin, mbështesim Palestine Action” dhe “Jemi protestues, jo terroristë”.
Policia konfirmoi fillimisht arrestimin e të paktën 139 personave, ndërsa operacionet vijonin. Sipas organizatorëve, më shumë se 4 mijë persona janë arrestuar që nga korriku i vitit 2025, kur grupi u shpall i jashtëligjshëm, për shkak të shprehjes publike të mbështetjes ndaj tij.
Organizata “Defend Our Juries” ka kritikuar arrestimet, duke ngritur shqetësime për ndalimin e qytetarëve gjatë protestave paqësore. Sipas saj, mes personave të arrestuar në tubimet e mëparshme kanë qenë edhe të moshuar dhe të mbijetuar të Holokaustit.
“Palestine Action” është shpallur organizatë e jashtëligjshme, njësoj si Hamasi dhe Hezbollahu. Sipas legjislacionit britanik, anëtarësimi ose shprehja e mbështetjes për të përbën vepër penale, e dënueshme deri në 14 vjet burg.
Bashkëthemeluesja e organizatës, Huda Ammori, e ka kundërshtuar vendimin në rrugë ligjore, duke argumentuar se ndalimi është joproporcional dhe cenon të drejtat e njeriut.
Gjykata e Lartë britanike pritet të shqyrtojë ankimimin në një seancë dyditore, që nis të mërkurën. Çështja vjen pasi në qershor Gjykata e Apelit vendosi në favor të qeverisë.
Vendimi që do të marrë Gjykata e Lartë pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në debatin mbi kufijtë e protestës dhe lirinë e shprehjes në Britaninë e Madhe.


