Dy cisterna nafte janë përfshirë nga shpërthime në Ngushticën e Hormuzit, pasi dyshohet se kanë goditur mina gjatë tentativës për të kaluar në një itinerar të cilin autoritetet iraniane e cilësojnë si të paautorizuar.
Lajmi është bërë i ditur nga Garda Revolucionare e Iranit, e cila pretendon se anijet po përpiqeshin të kalonin në këtë korridor detar duke anashkaluar kufizimet e vendosura nga Teherani.
Sipas deklaratës së autoriteteve iraniane, dy cisternat kishin çaktivizuar sistemet e navigimit dhe të zbulimit, ndërsa dyshohet se po lëviznin me mbështetjen e ushtrisë amerikane. Pas shpërthimeve, anijet kanë mbetur të palëvizshme në zonën ku ndodhi incidenti.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës dhe gazit. Irani ka vendosur kufizime për lëvizjen e anijeve në këtë zonë dhe ka paralajmëruar masa ndaj mjeteve detare që shkelin rregullat e përcaktuara nga Teherani.













