Pamje të frikshme: Avioni privat rrëzohet në një zonë të banuar dhe shpërthen në flakë, 9 të vdekur

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 02.11.2026, 00:17

Pamje të frikshme vijnë nga Florida e SHBA-së, ku një avion privat shihet teksa zhytet me shpejtësi drejt tokës dhe përplaset në një zonë të banuar. Në çastin e përplasjes, një shpërthim i fuqishëm zjarri përfshin vendin e aksidentit, ndërsa flakët ngrihen lart dhe tymi i zi mbulon zonën. Sipas Associated Press, topi i zjarrit duket se kaloi shumë pranë banesave, pa i goditur drejtpërdrejt ato.

Ngjarja ndodhi të dielën, më 1 nëntor, rreth orës 12:50 me orën lokale, pranë Greenacres, në kontenë Palm Beach. Avioni ishte i tipit “Learjet 60” dhe kishte nëntë persona në bord. Të gjithë kanë humbur jetën, konfirmoi sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy.

Sipas raportimeve të Associated Press, avioni u rrëzua në një zonë banimi, pranë një rruge kryesore. Përplasja ndodhi në afërsi të rrugës Military Trail, pranë kryqëzimit me 10th Avenue North, dhe la një krater të madh në asfalt. Pamjet tregojnë flakët që përfshijnë edhe pjesën e rrugës, ndërsa avioni u rrëzua vetëm pak metra larg banesave dhe shumë pranë automjeteve që po qarkullonin. Deri më tani, nuk janë raportuar viktima në tokë.

Avioni ishte nisur nga Austin, në Teksas, me destinacion aeroportin North Eleuthera në Bahamas. Sipas të dhënave të publikuara për fluturimin, mjeti humbi rreth 27 mijë këmbë lartësi brenda një minute. Komunikimet me kontrollin ajror tregojnë se pilotët raportuan probleme me akullin, reshjet dhe turbulencat e forta, përpara se të shpallnin emergjencë.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e tragjedisë. Ndërkohë, rreth 600 banorë të një komuniteti pranë vendit të aksidentit janë evakuuar përkohësisht, ndërsa rruga Military Trail është mbyllur për qarkullimin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit