Vetëm 20 vjeç dhe kampion bote! Kimi Antonelli shkruan historinë, Italia feston pas 73 vitesh
Vetëm 20 vjeç, italiani është bërë kampioni më i ri botëror në historinë e Formula 1. Nga triumfet historike te rekordet e moshës, piloti i Mercedesit po shkruan emrin mes legjendave të këtij sporti.
Kimi Antonelli po përjeton një sezon të jashtëzakonshëm në Formula 1, duke thyer rekorde që për vite me radhë janë mbajtur nga emra të mëdhenj të këtij sporti. Në moshën 20 vjeç, 2 muaj e 7 ditë, italiani është shpallur kampioni më i ri botëror në historinë e F1, duke kaluar rekordin e Sebastian Vettel, i cili e kishte fituar titullin e parë në moshën 23 vjeç e 134 ditë.
Por ky është vetëm njëri prej shumë rekordeve të vendosura nga piloti i ri. Në vitin 2026, Antonelli u bë gjithashtu fituesi i dytë më i ri i një gare të Formula 1, pas Max Verstappen, pasi triumfoi në Çmimin e Madh të Kinës, në moshën rreth 19 vjeç e 6 muaj. Në të njëjtën periudhë, ai u bë edhe piloti më i ri që siguroi pole position, duke kaluar rekordin e mëparshëm të Vettel.
Italiani vendosi një tjetër rekord historik në Çmimin e Madh të Japonisë, ku mori kryesimin e kampionatit në moshën 19 vjeç, 7 muaj e 1 ditë, duke u bërë lideri më i ri në historinë e këtij kompeticioni.
As Monako nuk i shpëtoi dominimit të tij. Antonelli u bë adoleshenti i parë që fitoi në pistën legjendare, në moshën 19 vjeç, 9 muaj e 14 ditë. Në këtë garë, ai regjistroi edhe një Grand Chelem, duke u nisur nga pole position, fituar garën, realizuar xhiron më të shpejtë dhe qëndruar në krye nga fillimi deri në fund.
Rekordet vazhduan edhe në gara të tjera. Antonelli u bë fituesi më i ri i një gare Sprint në Çmimin e Madh të Britanisë, si dhe piloti më i ri që siguroi pole position dhe fitoi në pistën e Spa-së.
Përveç rekordeve të moshës, 2026-ta shënoi edhe një moment të rëndësishëm për automobilizmin italian. Në Austin, Antonelli arriti shtatë pole position gjatë sezonit, duke kaluar rekordin kombëtar të Alberto Ascarit, i cili kishte regjistruar gjashtë në vitin 1953. Me nëntë fitore në një sezon, ai kaloi gjithashtu rekordin italian të Ascarit, që kishte triumfuar në gjashtë gara në vitin 1952.
Një tjetër sukses i jashtëzakonshëm erdhi në Monza, ku Antonelli u bë fituesi më i ri i Çmimit të Madh të Italisë, në moshën 20 vjeç e 12 ditë. Ai theu rekordin e Sebastian Vettel, i cili kishte fituar në vitin 2008 në moshën 21 vjeç e 74 ditë. Për më tepër, italiani triumfoi pasi ishte nisur nga vendi i 19-të, duke realizuar rikthimin më të madh në historinë e kësaj piste dhe të dytin më të madh në historinë e Formula 1. Rekordin absolut e mban John Watson, i cili fitoi Çmimin e Madh të SHBA-së në vitin 1983, pasi ishte nisur nga vendi i 22-të.
Fitorja në Monza kishte edhe një domethënie të veçantë për Italinë, pasi Antonelli u bë piloti i parë italian që triumfon në këtë pistë që nga Ludovico Scarfiotti, në vitin 1966.
Në listën e rekordeve të tij përfshihen edhe pesë fitoret e para radhazi në karrierë, një arritje e paprecedentë në historinë e Formula 1. Ai u bë gjithashtu piloti i parë që shndërroi tri pole position-et e para të karrierës në tri fitore radhazi, duke hyrë në një kategori ku bëjnë pjesë legjenda si Michael Schumacher, Ayrton Senna, Damon Hill dhe Mika Häkkinen.
Edhe viti 2025 kishte paralajmëruar talentin e jashtëzakonshëm të italianit. Në Çmimin e Madh të Japonisë, në Suzuka, Antonelli u bë piloti më i ri që mori pjesë në një garë të Formula 1, në moshën 18 vjeç e 225 ditë. Në të njëjtën garë, ai vendosi edhe rekordin si piloti më i ri që regjistron xhiron më të shpejtë.
Me një numër kaq të madh arritjesh në një moshë kaq të re, Antonelli po shndërrohet në një prej emrave më të rëndësishëm të brezit të ri të Formula 1. Rekordet e tij e vendosin përballë historisë së këtij sporti, ku emra si Senna, Schumacher, Vettel dhe Verstappen kanë lënë gjurmë të pashlyeshme.
Top Channel