Në episodin e 71-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është avokati dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës në vitet ‘90, Ilaz Ramajli.
Ramajli: Uniteti i shqiptarëve e përgatiti rrugën drejt 2 Korrikut, helmimi i nxënësve tregoi se synohej edhe shkatërrimi biologjik
Avokati dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Ilaz Ramajli, ka rrëfyer në podcastin PIKË, në bashkëbisedim me publicistin Veton Surroi, proceset politike dhe shoqërore që i paraprinë Deklaratës së 2 Korrikut 1990.
Duke folur për rrethanat që çuan drejt këtij procesi, Ramajli ka thënë se zhvillimet ndërkombëtare, përfshirë rënien e Murit të Berlinit në nëntor të vitit 1989, si dhe ndryshimet politike në Slloveni e Kroaci, ndikuan në zhvillimet edhe në Kosovë.
Ai ka përmendur kontributin e elitës intelektuale, protestat, aktivitetet simbolike dhe Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve si procese që ndihmuan në bashkimin e shqiptarëve rreth synimit për vetëvendosje.
Sipas Ramajlit, këto aktivitete, përfshirë protestat me qirinj e tenxhere, ndonëse sot mund të duken të vogla, në atë kohë kishin rëndësi të madhe dhe përcillnin mesazhin se vetëm uniteti mund t'i ndihmonte shqiptarët përballë zhvillimeve që po vinin.
“U bënë disa procese që shqiptarët i homogjenizuan dhe veprimin e tyre e koncentruam në drejtim të realizimit të qëllimit përfundimtar që ishte fillimisht shprehje e vullnetit për vetëvendosje edhe mandej ajo që do të pason më vonë duke filluar nga aktiviteti i juaj me ato me protestat, me qirinjtë, me tenxheret, etj. Dikujt tash prej kësaj distance mund t’ju duken pak që kanë qenë të vogla, por për ata që njerëzit që kanë jetuar në atë kohë dhe atë gjendje, ato ishin si një mjet çlirimi dhe porosie, se cili është drejtimi që duhet, duhet të ndjekë. Do të thotë porosia që uniteti, vetëm uniteti mund të na shpëton prej asaj që po vjen”, deklaroi ai.
Ai ka veçuar edhe rolin e të burgosurve politikë në procesin e pajtimit të gjaqeve, duke thënë se ata ishin ndër grupet që kishin bërë sakrificën më të madhe për të përcjellë mesazhin e bashkimit. Sipas tij, ata kishin pranuar t'i linin anash vuajtjet e së kaluarës dhe të uleshin për të diskutuar për të ardhmen e Kosovës edhe me njerëz që i kishin gjykuar apo dënuar.
Ramajli ka thënë se një moment tjetër që ndikoi në mënyrën se si e kuptoi synimin e pushtetit serb ishte helmimi i nxënësve shqiptarë.
“Ky dimension në këtë procesin e pajtimit të gjaqeve unë e kam kuptu edhe në këtë mënyrë. Por, mandej vjen helmimi i nxënësve. Të them të drejtën, unë atëherë, e kam kuptu ashtu unë atëherë, në vete e kuptova që nuk bëhet fjalë më vetëm për marrjen e të drejtave politike për neve shqiptarët. Unë e kuptova që këta janë në gjendje dhe kanë për qëllim edhe biologjikisht të na shkatërrojnë. Ishte bo hapi i parë, do të thotë. Ishte prekur pika më e ndjeshme për familjet shqiptare. Na kemi edhe sot ka një koncept të idealizum për familjen edhe fëmijët...”, përfundoi ai.
Ramajli: Një nen i ndryshimeve kushtetuese të vitit 1989 e kthente Kosovën në regjion të Serbisë
Avokati dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Ilaz Ramajli, ka rrëfyer në podcastin PIKË, në bashkëbisedim me publicistin Veton Surroi, prapaskenat e kundërshtimit të ndryshimeve kushtetuese të vitit 1989, të cilat ia hoqën Kosovës autonominë.
Ramajli ka treguar se gjatë tubimeve publike të organizuara në atë kohë, në disa komuna të Kosovës, kishte pasur kundërshtim të hapur ndaj ndryshimeve kushtetuese. Ai ka përmendur veçanërisht tubimet në Strellc të Deçanit, Junik dhe Suharekë, ku, sipas tij, pjesëmarrësit ishin shprehur kundër këtyre ndryshimeve.
Duke folur për përgatitjet që ndryshimet të miratoheshin në Kuvend, Ramajli ka thënë se në një mbledhje të Komitetit Krahinor ishte përfshirë një nen i ri, i cili nuk kishte qenë fare pjesë e diskutimit publik.
Sipas tij, ky nen, numrin e të cilit nuk e kujtonte saktësisht, por që mund të ishte 84 ose 64, e përcaktonte përfundimisht Kosovën si regjion të Serbisë, ndonëse do ta ruante emërtimin e saj.
“Edhe pse raporti ishte komplet që është refuzu në diskutim publik kjo iniciativa për ndryshimin e Kushtetutës, u bëjshin përgatitjet që në Kuvend me u aprovu... Ndodhën dy mbledhje: e para, në Komitetin Krahinor, e futën një nen, muj me e gabu numrin, 84 ose 64, të ri, i cili s’kishte qenë në diskutim publik. Ai nen definitivisht Kosovën e bënte si regjion i Serbisë, mund ta mbante emrin, por ishte regjion i Serbisë”, ka thënë ai.
Ramajli ka rrëfyer edhe për një takim joformal të Kryesisë, ku ishte diskutuar për përfshirjen e këtij neni në ndryshimet kushtetuese. Ai ka thënë se në atë takim, Toma Sekuliqi, i cili, sipas Ramajlit, nuk i përkiste rrymës së Sllobodan Millosheviqit, kishte kundërshtuar që neni të hidhej në votim. Ai kishte paralajmëruar se Kosova nuk mund të mbahej pa shqiptarët.