Tragjedi në Florida, 9 viktima nga rrëzimi i avionit privat, detaje tronditëse nga komunikimet e fundit të pilotit

Nëntë persona kanë humbur jetën pas rrëzimit të një avioni privat në Florida të SHBA-së. Avioni i tipit Learjet 60 u përplas në një zonë të banuar në Palm Beach County, duke shpërthyer në flakë. Sipas autoriteteve amerikane, asnjë nga personat që ndodheshin në bord nuk ka mbijetuar. Avioni ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar Austin-Bergstrom në Teksas dhe kishte si destinacion Aeroportin Eleuthera Veriore në Bahamas, kur u rrëzua pranë Lake Worth Beach.
Përplasja krijoi një krater të madh pranë hyrjes së një kompleksi banesash të lëvizshme. Për shkak të rrezikut, autoritetet urdhëruan evakuimin e rreth 600 banorëve, të cilët u zhvendosën në dy qendra strehimi.
Detaje tronditëse janë zbuluar nga regjistrimi audio i komunikimeve mes ekuipazhit dhe kontrollit ajror në Miami. Sipas regjistrimit të publikuar nga LiveATC, piloti kishte raportuar fillimisht probleme me akullin dhe turbulenca të moderuara, duke kërkuar kushte më të favorshme fluturimi.
Situata u përkeqësua brenda pak sekondash. Piloti lëshoi sinjalin e emergjencës “Mayday”, duke raportuar se avioni po humbiste lartësi me një shpejtësi prej rreth 10 mijë këmbësh në minutë.
Pak çaste më vonë, shpejtësia e zbritjes arriti në 20 mijë këmbë në minutë. Në komunikimin pasues dëgjohet paralajmërimi: “Do të përplasemi në tokë”.
Ndërkohë, të dhënat e platformës Flightradar24 tregojnë se shpejtësia vertikale e zbritjes së avionit në një moment ka tejkaluar 32 mijë këmbë në minutë. Në momentin e aksidentit, zona ishte përfshirë nga reshje të dendura shiu dhe stuhi. Megjithatë, shkaku i saktë i rrëzimit mbetet ende për t’u përcaktuar.
Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, ndërsa kompania Bombardier, prodhuesja e avionit, ka deklaruar se do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet amerikane.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



