Video/ Rrëzohet avioni privat në Florida, humbin jetën të 9 personat në bord
Sulmet informatike kanë goditur gjatë natës aplikacionet e paralajmërimit për sulme ajrore në Ukrainë dhe Rusi, në një kohë kur ka përfunduar armëpushimi i përkohshëm mes dy vendeve.
Fillimisht ishte Forca Ajrore e Ukrainës ajo që njoftoi për sulmin ndaj aplikacionit “Air Alert”, përmes një mesazhi të publikuar në “Telegram”.
“Me shumë gjasë, aplikacioni Air Alert është komprometuar nga armiku. Nuk ka asnjë kërcënim radioaktiv. Ruani qetësinë dhe ndiqni përditësimet në kanalin tonë”, thuhej në njoftim.
Më pas, sulmi u konfirmua edhe nga ekipi teknik i aplikacionit, i cili bëri të ditur se persona të paautorizuar kishin ndërhyrë në funksionimin e tij. Për arsye sigurie, ekipi vendosi të çaktivizojë përkohësisht njoftimet push dhe të pezullojë shërbimin.
Sipas përgjegjësve të aplikacionit, nuk ka rrezik për të dhënat personale të përdoruesve, pasi platforma nuk ruan informacione të tilla. Qytetarëve iu bëri thirrje të mos hapin në asnjë rrethanë lidhjet që mund të përmbajnë njoftime të dyshimta.
Ndërkohë, edhe Moska raportoi një sulm të konsiderueshëm kibernetik ndaj aplikacionit celular të Ministrisë ruse për Situatat e Emergjencave. Lajmi u bë i ditur nga agjencia ruse RIA Novosti. Sipas autoriteteve ruse, pas incidentit qytetarët nisën të merrnin email-e me informacione të rreme.
Sulmet kibernetike ndodhën në një moment delikat, pasi më 1 nëntor përfundoi armëpushimi i përkohshëm në rajonin e Khersonit, në lindje të Ukrainës. Sipas Kievit, Rusia kishte refuzuar propozimin për zgjatjen e marrëveshjes së përkohshme.
Deri më tani, Moska nuk ka bërë të ditur se kush qëndron pas sulmit ndaj aplikacionit të saj. Nga ana tjetër, qendra ukrainase për komunikimin strategjik SPRAVDI ia ka atribuuar Rusisë përgjegjësinë për sulmin kibernetik ndaj aplikacionit ukrainas.
Pezullimi i luftimeve, i ndërmjetësuar nga Zonja e Parë amerikane Melania Trump, kishte nisur më 27 tetor dhe kishte mundësuar zhvillimin e një misioni humanitar në qytetin Oleshky, nën kontrollin rus.
“Armëpushimi, i cili ishte në fuqi nga 27 tetori deri më 1 nëntor, ka përfunduar”, deklaroi Dmytro Lubinets, komisioneri për të drejtat e njeriut në Parlamentin ukrainas. Ai e cilësoi këtë pauzë si një hap të rëndësishëm në përpjekjet e përbashkëta humanitare mes dy vendeve.
Ndërkohë, gjatë këtij muaji pritet të rifillojnë bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, pasi negociatat kishin mbetur praktikisht të ngrira.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Kievi mund të ndalojë sulmet ndaj rafinerive të naftës ruse, siç ka kërkuar presidenti amerikan Donald Trump, nëse Uashingtoni furnizon Ukrainën me raketa të fuqishme interceptuese Patriot.
Zhvillimet e fundit tregojnë se, edhe në periudha të shkurtra armëpushimi, përplasja mes dy vendeve vijon të shtrihet përtej frontit ushtarak, duke përfshirë edhe hapësirën kibernetike.
Top Channel