Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zhvilloi të dielën tubime elektorale në Iowa dhe Kansas, në kuadër të përpjekjeve të fundit të republikanëve për të mobilizuar votuesit përpara zgjedhjeve të mesmandatit të 3 nëntorit.
Trump u takua fillimisht me mbështetësit e tij në Dubuque të Iowa-s, përpara se të udhëtonte drejt Salina-s në Kansas, ku u bëri thirrje qytetarëve të votojnë për kandidatët republikanë dhe të ndihmojnë partinë të ruajë kontrollin e Kongresit amerikan.
“Nëse zgjidhni një Dhomë Përfaqësuesish dhe një Senat Republikan më 3 nëntor, ne do të vazhdojmë ta vendosim Amerikën të parën çdo ditë”, deklaroi Trump gjatë fjalimit në Salina.
Gjatë tubimit, presidenti paraqiti edhe prioritetet politike që republikanët synojnë të ndjekin në rast se ruajnë shumicën në Kongres. Ndër to përfshihen ashpërsimi i politikave të imigracionit, vendosja e kërkesave më të rrepta për identifikimin e votuesve dhe vërtetimin e shtetësisë, si dhe ndalimi i të ashtuquajturave qytete strehë për emigrantët.
Trump kërkoi gjithashtu dënimin me vdekje për trafikantët e drogës në shkallë të gjerë, trafikantët e qenieve njerëzore dhe personat e dënuar për vrasjen e punonjësve të zbatimit të ligjit.
“Epoka e artë e Amerikës ka ardhur, por ju duhet të dilni dhe të votoni”, u shpreh presidenti amerikan, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje.
Gjatë qëndrimit në Kansas, Trump u kërkoi votuesve të mbështesin edhe senatorin republikan Roger Marshall, i cili synon një mandat tjetër, si dhe kandidatin republikan për guvernator, Ty Masterson.
“Le të dalim dhe të bëjmë atë që bëjmë më mirë, që është të fitojmë, të fitojmë, të fitojmë”, deklaroi Trump, duke shtuar se fitorja republikane do t’i bënte dy vitet e ardhshme “më të mëdha, më të mira dhe më të forta”.
Tubimet në Iowa dhe Kansas shënojnë përpjekjet përmbyllëse të fushatës republikane, në një moment vendimtar për ruajtjen e shumicës në të dyja dhomat e Kongresit amerikan.
The post Trump vijon fushatën elektorale, u bën thirrje amerikanëve të votojnë për republikanët appeared first on Euronews Albania.
Burimi: Botë








