Komisioni i posaçëm hetimor i Kuvendit të Kosovës mblidhet sot për herë të parë për të shqyrtuar rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Mbledhja është caktuar në orën 11:30.
Në komision marrin pjesë përfaqësues të të gjitha partive politike. Ata do të hetojnë rrethanat para vrasjes, si dhe veprimet apo mosveprimet e institucioneve përgjegjëse.
Të lidhura
None found
Komisioni drejtohet nga Burim Ramadani dhe është themeluar nga Kuvendi i Kosovës me 90 vota për. Mandati i tij përfshin hetimin e përgjegjësive institucionale në rastin e Arlindës, si edhe të trajtimit të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.
Anëtarja e komisionit dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Emilia Rexhepi, ka thënë se hetimi duhet të sqarojë nëse gjatë trajtimit të rastit ka pasur pengesa ose dështime nga institucionet.
Sipas Rexhepit, është e nevojshme të vërtetohen të gjitha rrethanat që i paraprinë vrasjes së Arlindës. Ajo ka theksuar se numri i lartë i grave të vrara dëshmon për probleme me të cilat duhet të përballet shoqëria në tërësi.
Rexhepi ka bërë të ditur se komisioni do të shqyrtojë mënyrën si kanë vepruar institucionet. Ajo është shprehur se anëtarët do të bëjnë çmos për të ndjekur ecurinë e hetimit të rastit dhe për të kuptuar nëse institucionet janë penguar në ndonjë fazë të procesit.
Arlinda Zekaj ishte 49 vjeçe kur u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. I dyshuar për vrasjen është ish-kunati i saj, i cili u arrestua më 27 tetor në Deçan.
Rasti shkaktoi reagime të shumta, veçanërisht pasi viktima i kishte paralajmëruar vazhdimisht institucionet për dhunën dhe rrezikun që i kanosej. Ajo kishte raportuar dhunë fizike e psikologjike, kishte kërkuar mbrojtje institucionale dhe kishte shprehur shqetësim për sigurinë e saj.
Më 16 tetor, Gjykata Themelore në Pejë kishte lëshuar një urdhër mbrojtjeje emergjente me afat gjashtë muaj. Urdhri i jepte Arlindës të drejtën të përdorte shtëpinë e përbashkët dhe kujdestarinë e përkohshme të djalit.
Gjendja, megjithatë, kishte mbetur e tensionuar. Më 23 tetor, dy ditë para vrasjes, një zyrtar policor u kishte dërguar e-mail drejtuesve të Policisë, duke kërkuar masa të tjera për sigurinë e Arlindës dhe vizita të përditshme nga patrullat policore. Në atë komunikim, ai kishte tërhequr vëmendjen për rrethana shqetësuese në shtëpinë ku ndodhej ajo.
Më 25 tetor, Arlinda ishte kthyer në banesën e saj e shoqëruar nga Policia. Pak kohë pas kthimit, ajo u vra.
Vrasja ngriti pyetje për trajtimin që institucionet u kishin bërë raportimeve të saj dhe për mundësinë që ngjarja të parandalohej me një reagim më të efektshëm. Pas ngjarjes, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë dhe më pas ngriti komisionin hetimor parlamentar.
Hetimi i komisionit pritet të përqendrohet te mënyra si u trajtuan denoncimet e Arlindës, zbatimi i masave mbrojtëse dhe veprimet e institucioneve përgjegjëse përpara vrasjes, me synimin për të sqaruar përgjegjësitë dhe rrethanat e rastit.






