Tragjedia në Florida, avioni privat rrëzohet në një lagje të banuar dhe shpërthen në flakë, 9 të vdekur

Një avion privat i tipit “Learjet 60” është rrëzuar të dielën në një zonë të banuar në Florida të SHBA-së, duke shkaktuar vdekjen e të nëntë personave që ndodheshin në bord. Lajmi është konfirmuar nga Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy. Fatmirësisht, nga përplasja nuk raportohet për viktima apo të lënduar jashtë avionit.
VIDEO- Rrëzohet avioni në Florida
Aksidenti ndodhi pranë zonës Cresthaven, rreth 14 kilometra larg resortit Mar-a-Lago të Presidentit Donald Trump. Avioni ishte nisur nga Austin, Teksas, drejt Bahamas, ndërsa u përplas rreth orës 12:50 me orën lokale. Pamjet nga vendngjarja tregojnë një krater të madh në mes të një rruge me gjashtë korsi, të rrethuar nga flakët dhe mbetjet e avionit.
Sipas analizave të fluturimit dhe komunikimeve të regjistruara me kullën e kontrollit, avioni po humbiste lartësi me shpejtësi shumë të madhe, deri në 20 mijë këmbë në minutë. Në regjistrimet audio dëgjohet një anëtar i ekuipazhit që shpall emergjencën dhe paralajmëron se avioni po humb kontrollin, ndërsa fjalët e fundit të dëgjuara nga kabina ishin: “Nuk kemi më kohë”.
Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, e cilësoi përplasjen si një ngjarje tronditëse, duke përshkruar momentin e rrëzimit si një avion që u drejtua pothuajse vertikalisht drejt tokës, përpara se të shpërthente në flakë. Ndërkohë, autoritetet urdhëruan evakuimin e rreth 600 banorëve të një komuniteti pranë vendit të aksidentit. Përplasja shkaktoi gjithashtu dëme të konsiderueshme në infrastrukturën lokale, ndërsa rruga pritet të qëndrojë e mbyllur për të paktën 30 ditë.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka njoftuar se po dërgon një ekip në vendngjarje për të ndihmuar në hetimet e Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit (NTSB). Shkaku i aksidentit mbetet ende i paqartë, ndërsa në zonë janë raportuar stuhi dhe reshje të dendura shiu në momentin e përplasjes. Presidenti Donald Trump ndodhej më herët në Mar-a-Lago, por ishte larguar me avionin presidencial rreth një orë përpara aksidentit.
/vizionplus.tv




