Një moment i sikletshëm është regjistruar gjatë ceremonisë për 45-vjetorin e Pavarësisë së Antiguas dhe Barbudës, ku Mbreti Charles u detyrua të qëndronte në shi, ndërsa bashkëshortes së tij, Mbretëreshës Camilla, iu sigurua menjëherë një çadër.

Ngjarja ndodhi gjatë paradës zyrtare në fushën e kriketit Sir Vivian Richards, teksa po interpretoheshin himnet kombëtare. Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, Charles shfaqet i shqetësuar dhe bën disa gjeste drejt stafit, duke kërkuar të mësojë se ku ndodhej çadra e tij.

Ndërkohë, Camilla mori një çadër transparente dhe u largua drejt vendeve të rezervuara për familjen mbretërore. Mbreti mbeti për disa momente nën shi, deri kur ndihmësi i tij, major Ben Rigby, i dorëzoi një çadër.

Pamjet u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, ku situata u komentua me ironi. Megjithatë, sipas gazetës britanike “The Telegraph”, vonesa lidhej me protokollin e ceremonisë. Sipas traditës së Antiguas, gjatë interpretimit të himnit kombëtar të pranishmit duhet të qëndrojnë të palëvizur dhe në heshtje, çka kishte penguar ndërhyrjen e menjëhershme të stafit.

Shiu i rrëmbyeshëm zgjati rreth pesë minuta dhe më pas ceremonia vijoi normalisht. Në fund, Charles e komentoi me humor situatën gjatë një bisede me kryeministrin e Antiguas, duke thënë: “Mendoj se kostumi im është gati të mbijë lakër uji”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb