Një e pesta e shpenzimeve të buxhetit të shtetit për vitin 2025 u realizua vetëm gjatë muajit dhjetor, ndërsa për investimet publike përqendrimi ishte shumë më i lartë, duke arritur në 40.6% të totalit vjetor. Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin për zbatimin e buxhetit 2025 paralajmëron se kryerja e një vëllimi kaq të madh pagesash në një periudhë të shkurtër rrit rrezikun e mangësive në kontrollet përpara pagesës dhe vështirëson menaxhimin e likuiditetit. Auditimi zbuloi gjithashtu se në muajin e fundit të vitit u shlyen rreth 24.8 miliardë lekë, ose afërsisht 250 milionë euro, për fatura të lëshuara në muajt dhe vitet e mëparshme, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e investimeve të planifikuara mbeti e parealizuar.
Shpenzimet buxhetore të muajit dhjetor 2025 arritën në 162.5 miliardë lekë, ose 20.3% të totalit vjetor prej 801.7 miliardë lekësh, sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për zbatimin e buxhetit. Shuma e shpenzuar vetëm në dhjetor ishte 2.8 herë më e lartë se mesatarja mujore e periudhës janar–nëntor.
Përqendrimi ishte veçanërisht i fortë te investimet publike. Në dhjetor u regjistruan 53.4 miliardë lekë shpenzime kapitale, ose 40.6% e totalit të investimeve të realizuara gjatë gjithë vitit, prej 131.6 miliardë lekësh. Në krahasim me njëmbëdhjetë muajt e mëparshëm, ritmi i shpenzimeve kapitale në dhjetor ishte rreth 7.5 herë më i lartë se mesatarja mujore.
Shpenzimet korrente arritën në 92.5 miliardë lekë, ose 1.8 herë më shumë se mesatarja mujore e janarit deri në nëntor. Në shpenzimet e dhjetorit u përfshi edhe një transfertë prej 16.6 miliardë lekësh në llogarinë e Fondit të Pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë, e barabartë me 10.2% të shpenzimeve të raportuara për këtë muaj. KLSH vlerëson se kjo transfertë nuk përbën shpenzim efektiv, megjithëse është përfshirë në treguesit e realizimit të buxhetit.
Rreth 250 milionë euro pagesa në dhjetor për fatura të mëparshme
Auditimi ka evidentuar se volumi i lartë i pagesave në fund të vitit nuk lidhet vetëm me aktivitetin e zhvilluar gjatë dhjetorit. Një pjesë e konsiderueshme e faturave të shlyera në këtë muaj ishin lëshuar më herët.
Konkretisht, gjatë dhjetorit u shlyen 14.96 miliardë lekë fatura për investime kapitale dhe 8.90 miliardë lekë për shpenzime operative, të lëshuara gjatë periudhës janar–nëntor 2025. Një tjetër shumë prej 955 milionë lekësh u përdor për pagesën e faturave të investimeve të vitit 2024 dhe viteve të mëparshme.
Në total, këto pagesa arrijnë në 24.8 miliardë lekë, ose afërsisht 250 milionë euro, duke përfaqësuar 15.3% të të gjitha shpenzimeve të dhjetorit.
Sipas KLSH-së, përqendrimi i një numri të madh transaksionesh në një periudhë kaq të shkurtër rrit ekspozimin ndaj mangësive në kryerjen e kontrolleve përpara pagesës dhe krijon vështirësi në planifikimin dhe administrimin e likuiditetit.
Për investimet publike, kjo praktikë shton presionin mbi strukturat që duhet të verifikojnë dokumentacionin, situacionet e punimeve dhe përputhjen e pagesave me detyrimet kontraktuale. Krahas rrezikut të kontrolleve të pamjaftueshme, përqendrimi i kontraktimeve dhe punimeve në fund të vitit mund të rëndojë edhe kapacitetet e kompanive zbatuese dhe të mbikëqyrjes së cilësisë.
Kjo problematikë vijon edhe gjatë vitit 2026. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, të analizuara nga “Monitor”, në nëntë muajt e parë të vitit investimet kapitale arritën në vetëm 62.7 miliardë lekë, ose 35.6% të planit vjetor prej 176 miliardë lekësh. Për realizimin e plotë të planit do të nevojiteshin edhe 113.4 miliardë lekë, rreth 1.2 miliardë euro, gjatë tre muajve të fundit.
Kjo do të kërkonte një mesatare mujore shpenzimesh prej 37.8 miliardë lekësh në tremujorin e fundit të vitit 2026, mbi pesë herë më shumë se mesatarja prej rreth 7 miliardë lekësh e nëntë muajve të parë. Në këto kushte, rreziku i përsëritjes së përqendrimit të pagesave në fund të vitit mbetet i lartë.
Projekte të hapura në muajt e fundit dhe fonde të pashfrytëzuara
Raporti i KLSH-së evidenton se problemi nuk kufizohet te ritmi i ulët i shpenzimeve gjatë vitit, por lidhet edhe me planifikimin dhe ndryshimet e shpeshta të fondeve të investimeve.
Vetëm gjatë periudhës shtator–dhjetor 2025 u detajuan për herë të parë 69 projekte investimi, me fonde në vlerën 6.86 miliardë lekë. Prej tyre, 16 projekte, me fonde prej 839 milionë lekësh, u detajuan përmes aktit normativ të dhjetorit, ndërsa 679 milionë lekë u raportuan si realizim për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura nga vitet e mëparshme.
Në fund të vitit, 188 projekte kishin fonde të planifikuara prej 3.59 miliardë lekësh, por nuk rezultonin me asnjë shpenzim të kryer. Këto fonde nuk ishin rishpërndarë drejt projekteve të tjera që kishin nevoja financimi.
Shpeshtësia e ndryshimeve buxhetore ishte një tjetër problem i evidentuar nga auditimi. Gjatë vitit 2025 u regjistruan 3,106 rishikime unike të buxhetit, që përfshinin 28,412 ndryshime në zëra buxhetorë. Rreth 17% e rishikimeve u kryen vetëm në dhjetor. KLSH konstatoi edhe raste të ndryshimeve të planit të vitit 2025 që vijuan deri në shkurt 2026.
Përqendrimi i shpenzimeve në muajin e fundit, së bashku me ndryshimet e vonuara të planit, faturat e mbartura dhe projektet e parealizuara, nxjerr në pah dobësitë e administrimit të ciklit buxhetor. Pavarësisht fondeve të miratuara, ekzekutimi i një pjese të madhe të investimeve mbetet i varur nga një periudhë shumë e shkurtër në fund të vitit, duke rritur rrezikun për cilësinë e kontrollit financiar dhe efektivitetin e përdorimit të parasë publike.
Nga 500 milionë euro suficit në nëntor, në deficit brenda një muaji
Përqendrimi i shpenzimeve në dhjetor ndryshoi rrënjësisht edhe bilancin e buxhetit.
Deri në fund të nëntorit 2025, buxheti kishte akumuluar një suficit prej 49.1 miliardë lekësh, ose rreth 500 milionë euro. Gjatë dhjetorit, të ardhurat arritën në 66.3 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet në 162.5 miliardë lekë. Diferenca prej 96.2 miliardë lekësh e ktheu suficitin e njëmbëdhjetë muajve në një deficit vjetor prej 47.1 miliardë lekësh.
Sipas vlerësimit të KLSH-së, realizimi i treguesve vjetorë nuk mjafton për të vlerësuar cilësinë e ekzekutimit të buxhetit, nëse nuk merret parasysh shpërndarja e pagesave gjatë vitit, nevoja për likuiditet dhe progresi faktik i projekteve të financuara.
Investimet, 25.5 miliardë lekë më pak se plani
Megjithëse në dhjetor u realizua pothuajse gjysma e investimeve të vitit, shpenzimet kapitale mbetën 25.45 miliardë lekë, ose rreth 16%, nën planin përfundimtar.
Investimet me financim të huaj patën mosrealizimin më të madh, me 15.8 miliardë lekë më pak se parashikimi. Ndërkohë, investimet me financim të brendshëm u realizuan në masën 93.9% të planit përfundimtar.
“Monitor” kishte raportuar më herët se rreth 41% e shpenzimeve kapitale të vitit 2025 u përqendruan në dhjetor, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e fondeve mbeti e papërdorur, pavarësisht përshpejtimit të pagesave gjatë muajit të fundit./ Monitor







Komente
Komento