Britania e Madhe pritet të prezantojë ndryshime të rëndësishme në politikat e emigracionit, me masa që synojnë të ashpërsojnë kushtet për emigrantët që kërkojnë të drejtën e qëndrimit të përhershëm në vend.
Sekretarja e Brendshme britanike, Shabana Mahmood, pritet të bëjë të ditura ndryshimet më ditën e sotme. Sipas planeve të prezantuara më herët, periudha e pritjes për marrjen e lejes së qëndrimit të përhershëm (ILR) mund të zgjatet deri në 10 vjet për disa kategori migrantësh.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu rishikimin e kritereve për përfitimin e ndihmës sociale nga emigrantët. Megjithatë, për disa kategori mund të ketë përjashtime, veçanërisht për punonjësit e sektorit të kujdesit social që ndodhen aktualisht në Britani.
Planet e qeverisë laburiste kanë shkaktuar debate dhe kundërshtime, përfshirë edhe brenda vetë Partisë Laburiste, për shkak të ndikimit që mund të kenë te migrantët që jetojnë dhe punojnë në vend.
Reformat synojnë të ndryshojnë mënyrën se si migrantët fitojnë të drejtën për të qëndruar përgjithmonë në Britani, duke vendosur kushte më të rrepta dhe periudha më të gjata pritjeje.
Ndërkohë, detajet përfundimtare të masave pritet të sqarojnë se cilat kategori emigrantësh do të preken nga ndryshimet dhe nëse do të ketë përjashtime për ata që kanë krijuar tashmë jetën e tyre në Mbretërinë e Bashkuar.













