I jepet lamtumira diplomatit Bashkim Zeneli, familja njofton detajet e homazheve në Kuvend

02/11/2026 09:24

Familja e ambasadorit të njohur Bashkim Zeneli ka bërë publike detajet e ceremonisë së lamtumirës, pas ndarjes së tij nga jeta në moshën 78-vjeçare.

Homazhet në nder të diplomatit  zhvillohen sot, më 2 nëntor, nga ora 11:00 deri në 13:00, pranë Sallës së Seancave Plenare të Kuvendit të Shqipërisë, në Tiranë. Më pas, ai do të përcillet për në banesën e fundit në Varrezat e Sharrës.

Pritja e vizitave do të zhvillohet më 3 dhe 4 nëntor, nga ora 10:00–12:00 dhe 17:00–19:00, në ambientet e Xheko Imperial, pas Presidencës.

Lajmin e ka bërë të ditur vajza e tij, Valbona Zeneli, përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ku familja shpreh dhimbjen për humbjen dhe mirënjohjen për të gjithë ata që do të jenë pranë tyre në këto momente të vështira.

Bashkim Zeneli u nda nga jeta të premten, në një spital jashtë vendit, ku kurohej prej kohësh. Ai do të kujtohet për kontributin e tij në diplomacinë dhe politikën shqiptare, si dhe për angazhimin në proceset e integrimit euroatlantik të Shqipërisë.

Gjatë karrierës së tij, Zeneli shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Gjermani dhe Greqi, ishte deputet i Kuvendit dhe kontribuoi gjithashtu në gazetari e publicistikë. Ai ishte autor i disa librave, ndër të cilët “Për Gjermaninë” dhe “Miqësi e trazuar”.

Ndarja e tij nga jeta shënon humbjen e një prej figurave të njohura të diplomacisë shqiptare.

Top Channel