Ashpërsohen akuzat ndaj protestuesve të arrestuar, rrezikojnë burg për hedhjen e molotovëve
Gjashtë protestuesit e arrestuar pas tubimit të fundit në Tiranë përballen me akuza të rënda penale, mes të cilave edhe ajo e “vrasjes së punonjësit të policisë, e mbetur në tentativë”, raporton gazetari Esido Barkaj në emisionin “7pa5” në Vizion Plus.
Pozitat ligjore të protestuesve janë rënduar pas shqyrtimit të pamjeve të kamerave të sigurisë dhe regjistrimeve me dron, përmes të cilave policia pretendon se ka identifikuar personat që kanë hedhur molotovë në drejtim të efektivëve.
Ndaj të arrestuarve janë ngritur të paktën tetë akuza, ndërsa ata pritet të dalin përpara gjykatës për caktimin e masës së sigurisë.
Ashpërsimi i akuzave vjen pas hyrjes në fuqi të aktit të ri normativ, të iniciuar nga qeveria, i cili parashikon masa më të rënda ndëshkuese për aktet e dhunës gjatë tubimeve. Sipas gazetarit Barkaj, legjislacioni i ri parashikon dënime me burg dhe gjoba administrative deri në 5 milionë lekë të vjetra për hedhjen e lëndëve plasëse dhe molotovëve.
Ndryshe nga rastet e mëparshme, kur Gjykata e Tiranës ka vendosur lirimin e disa protestuesve ose masa më të lehta sigurie, si detyrim paraqitje dhe arrest shtëpie, këtë herë të arrestuarit përballen me një situatë më të rënduar ligjore.
Gjithashtu se gjatë 20 ditëve të protestave janë regjistruar episode të rënda dhune, përfshirë hedhje molotovësh, dëmtim të bizneseve dhe institucioneve, si dhe lëndim të punonjësve të policisë.
Nga ana tjetër, edhe ndaj efektivëve të policisë ka nisur hetim për raste të dyshuara të ushtrimit të dhunës ndaj protestuesve pas përfundimit të tubimeve. Për këto raste po hetojnë Prokuroria e Tiranës dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Sa i përket protestës së fundit, nuk janë shënuar incidente të rënda, por policia ka shoqëruar disa të mitur dhe të rinj, të dyshuar për hedhjen e gurëve në drejtim të uniformave blu.
Policia ka paralajmëruar një qëndrim më të ashpër ndaj personave që kryejnë akte të dhunshme gjatë protestave, duke u bërë thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tubimit në mënyrë paqësore.
/vizionplus.tv




