Regjisori dhe aktori i njohur Gjergj Mena ka ndërruar jetë në moshën 41-vjeçare. Sipas informacioneve paraprake Mena prej disa kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë. 41-vjeçari do të përcillet në banesën e fundit këtë të hënë në orën 14:00 në Sharrë.

Për shtatë vite me radhë, Mena drejtoi me pasion festivalin teatror për të rinj “TK RIN ART”, një projekt që u dha mundësinë qindra të rinjve dhe të rejave të njiheshin me skenën, të zhvillonin talentin dhe të krijonin lidhjen e tyre me teatrin.

Kontributi i tij në këtë festival është dokumentuar edhe në edicionet e zhvilluara ndër vite. Mena ka qenë pjesë e drejtimit artistik dhe organizativ të aktivitetit, duke bashkëpunuar me regjisorë të rinj dhe shkolla të ndryshme të Tiranës. Në edicionin e vitit 2025, ai u prezantua si drejtor ekzekutiv i festivalit, i cili përfshinte nëntë shkolla dhe rreth 120 gjimnazistë pjesëmarrës.

Shfaqja “Yerma”, e bazuar në veprën e dramaturgut spanjoll Federico García Lorca dhe me regji të Menës, ishte një nga punët e tij të fundit. E vënë në skenë në Teatrin e Kukullave, ajo solli në fokus një grup artistësh të rinj dhe dëshmoi përkushtimin e regjisorit ndaj krijimit të hapësirave për talentet e reja.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:22
Regjisori Gjergj Mena ndërroi jetë në moshën 41-vjeçare, aktorja bën dedikimin e ndjerë: Mirënjohëse që të pata në jetën time

Aktori dhe regjisori i njohur, Gjergj Mena, ka ndërruar jetë në moshën 41-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë.

Aktorja Algiona Aga, teksa ka postuar në profilin e saj në “Instagram” një foto me Gjergjin ka bërë edhe një dedikim të ndjerë.

“Ku t’i gjej fjalët për ty, Gjergji im… shoku im… miku im… vëllai im… njeriu im… familja ime… shpatulla ime. Mirënjohëse përjetë që të pata në jetën time. Do t’i lutem Zotit që shpirtrat tanë të takohen sërish, Gjergji im… Të dua përtej jetës”, ka shkruar aktorja.

Foto: Postimi i aktores Algiona Aga