BELGJIKË – Belgjika po përballet me një krizë të re politike, pasi pesë partitë e koalicionit qeverisës nuk arritën një marrëveshje për buxhetin federal shumëvjeçar. Kryeministri Bart De Wever pritet të paraqitet në Pallatin Mbretëror për t’i dorëzuar dorëheqjen Mbretit Philippe.

Sipas gazetës belge në gjuhën frënge “Le Soir”, negociatat e zhvilluara të dielën në mbrëmje përfunduan pa rezultat, pavarësisht diskutimeve të gjata dhe propozimeve të reja të paraqitura nga kryeministri.

Në qendër të mosmarrëveshjeve ishte gjetja e rreth 10 miliardë eurove deri në vitin 2029, me qëllim uljen e deficitit dhe garantimin e qëndrueshmërisë së financave publike.

Takimi mes De Wever dhe Mbretit Philippe pritet të jetë vendimtar për të ardhmen e qeverisë. Kreu i shtetit mund ta pranojë dorëheqjen e kryeministrit ose t’i kërkojë atij të vijojë negociatat për të gjetur një kompromis mes partnerëve të koalicionit.

Megjithatë, brenda qeverisë ka ende shpresa për një marrëveshje të minutës së fundit. Një prej zëvendëskryeministrave ka deklaruar se shpreson që paraqitja e De Wever në Pallatin Mbretëror të shërbejë si një sinjal alarmi për partnerët dhe t’i shtyjë ata drejt kompromisit.

Mosmarrëveshjet përfshijnë pesë partitë e koalicionit qeverisës, të njohur si koalicioni “Arizona”: N-VA, MR, Les Engagés, CD&V dhe Vooruit.

Përplasja kryesore lidhet me mënyrën se si do të shpërndahet barra financiare. Partia liberale MR kundërshton rritjen e TVSH-së dhe kërkon më shumë shkurtime të shpenzimeve publike.

Nga ana tjetër, socialistët e Vooruit dhe centristët e Les Engagés kërkojnë rritje të taksimit për të ardhurat e larta dhe pasuritë e mëdha. Në tryezën e diskutimeve kanë qenë edhe propozime për taksimin e fitimeve kapitale dhe transaksioneve në bursë.

Sipas “Le Soir”, disa prej partnerëve qeveritarë kërkuan që masa e kursimeve dhe të ardhurave shtesë të kufizohej në 8 miliardë euro, në vend të 10 miliardë eurove të kërkuara nga kryeministri.

De Wever ka paralajmëruar gjithashtu për rrezikun e uljes së vlerësimit të kreditit të Belgjikës, nëse vendi nuk arrin të përmirësojë financat publike.

Belgjika përballë një krize të re politike

Pavarësisht dështimit të negociatave, rënia e menjëhershme e qeverisë nuk është ende e sigurt. Gjithçka pritet të varet nga vendimi i Mbretit Philippe dhe gatishmëria e pesë partive për të bërë lëshime në orët në vijim.

Nëse nuk arrihet një kompromis, Belgjika mund të hyjë në një periudhë të re pasigurie politike, me pasoja edhe për menaxhimin e financave publike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: