Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 2 dhjetor për shqyrtimin e kërkesës së gjyqtarëve dhe prokurorëve lidhur me formulën e re të pagave të magjistratëve.
Kërkesa është paraqitur nga Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve, të cilat kundërshtojnë ndryshimet ligjore të miratuara nga Kuvendi në shtator.
Shoqatat kërkojnë pezullimin e zbatimit të ligjit dhe shfuqizimin e tij, me argumentin se bie ndesh me Kushtetutën.
Përplasja për pagat në sistemin e drejtësisë u thellua pasi Kuvendi nuk miratoi deri më 31 korrik formulën e re, sipas afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP vendosën që, nga 1 gushti, paga referuese të llogaritej mbi 222 mijë e 425 lekë, me një shtesë prej 14 mijë lekësh për kualifikimin.
Megjithatë, Ministria e Financave nuk i ekzekutoi listëpagesat sipas kësaj përllogaritjeje, duke argumentuar se përcaktimi i pagave është kompetencë e Kuvendit.













