Pas lajmit të transmetuar pak ditë më parë në BalkanWeb dhe News24 për mungesën e tabelës informuese në kantierin e një investimi publik në Bulqizë, firma zbatuese KUPA sh.p.k. ka vendosur tabelën e transparencës për projektin.

Bëhet fjalë për investimin me vlerë rreth 330 mijë euro, të financuar nga Bashkia e Bulqizës, për sistemimin dhe asfaltimin e rrugës së lagjes “Çiflig”, në fshatin Çerenec i Sipërm, Njësia Administrative Gjoricë.

Vendosja e tabelës është bërë vetëm pasi çështja u bë publike në media, ndonëse informimi për investimet publike është një detyrim ligjor. Kjo ngre pikëpyetje për respektimin e standardeve të transparencës nga kompania zbatuese dhe institucionet përgjegjëse.

Një tjetër shqetësim lidhet me afatin e realizimit të projektit. Sipas të dhënave të publikuara, kompania është shpallur fituese më 14 shtator, ndërsa kontrata parashikon një kohëzgjatje prej tetë javësh për përfundimin e punimeve. Megjithatë, në terren punimet raportohen se po ecin me ritme të ngadalta dhe mbetet e paqartë nëse objekti do të dorëzohet brenda afatit të përcaktuar.

Gjithashtu, tenderi rezulton i shënuar me “flamur të kuq”, një tregues risku që lidhet me mundësinë e parregullsive apo favorizimit në procedurën e prokurimit, por që nuk përbën në vetvete provë për shkelje.

KUPA sh.p.k. nuk është hera e parë që përfiton fonde nga Bashkia e Bulqizës. Rreth një vit e gjysmë më parë, kompania ka zbatuar edhe projektin për asfaltimin e rrugëve në fshatrat Shtushaj, Bllacë dhe Zogjaj, me një vlerë totale prej afro 600 mijë eurosh.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb